E Diel, 1 Nëntor 2026

Remzi Hoxha, dëshmitarët i frikësohen përballjes me SHIK-un

Mungojnë gjashtë dëshmitarët kundër të pandehurve, gjyqtarët shtyjnë seancën. Sefgjini, në dorë të ish-vartësit të tij

TIRANË- Dëshmitarët në procesin gjyqësor kundër tre ish-zyrtarëve të SHIK-ut, që akuzohen për rrëmbimin e Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt e Remzi Hoxhës i fshihen përballjes në gjyq me të pandehurit e kësaj dosjeje. Mëngjesin e djeshëm, kur para togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, me kërkesë të organit të akuzës duhej të paraqiteshin gjashtë dëshmitarët e radhës, për të dhënë shpjegime në lidhje me dijeninë që ata kanë për rrëmbimin e tre shtetasve shqiptarë në vitin 1995 nga SHIK-u, gjykata u lajmërua se asnjëri prej tyre nuk ndodhet në adresat që disponon organi i akuzës.

Sipas njoftimit të ardhur nga policia e Sarandës dhe e Tiranës, asnjë nga gjashtë dëshmitarët e kërkuar nga akuza: Beqir Tërshalla, Alma Kristopulli, Astrit Sula, Gëzim Jani, Gjergji Jorgo dhe Albin Guri nuk ndodhen në adresat që Prokuroria e Krimeve të Rënda disponon.

Nga verifikimet e kryera në terren dhe në adresat që janë të shënuara në krye të këtyre shkresave, rezulton se asnjë nga këta dëshmitarë nuk ndodhet në këtë adresë,-thuhet në përgjigjet e shkresave përcjellëse të dërguara nga komisariati i Sarandës dhe Drejtoria e Policisë në kryeqytet.

Mungesa e këtyre gjashtë dëshmitarëve, u bë shkak që togat e zeza të ndërpresin seancën gjyqësore duke e shtyrë atë për më datën 30 shtator, kohë kjo, që sipas gjykatës, mjafton që të përsëritet njoftimi për 6 dëshmitarët e munguar dje dhe katër dëshmitarëve të tjerë, të cilët kanë dijeni për ngjarjet. Sipas gjykatës, gjashtë dëshmitarët e thirrur në seancën e djeshme dhe që nuk u paraqiten janë ish-punonjës të SHIK-ut, ish-punonjës të firmës Albatros, pronë e të zhdukurit Remzi Hoxha dhe vajza e njërit nga viktimat e këtij rrëmbimi, Ziso Kristopullit, Alma.

Sipas akuzës, ish-agjenti i SHIK-ut në Sarandë, shtetasi Beqir Tërshalla është një nga dëshmitarët kryesorë të çështjes, për të identifikuar rolin e të pandehurit Arben Sefgjini në këtë proces, pasi në seancën e kaluar, viktima Ziso Kristopuli nuk arriti të identifikojë me fytyrë e emër të pandehurin, që sipas tij e ka takuar një javë para rrëmbimit në Ksamil, bashkë me shtetasin Beqir Tërshalla.

Sipas prokurorisë, dëshmia e Tërshallës do të zbardhë dhe identifikojë personin që e kishte rrahur Kristopullin në Vain të Lezhës, duke e quajtur grek m..... për ty po shkruajnë të gjitha gazetat. Sipas Kristopullit, vetëm Beqir Tërshalla mund të identifikojë rolin e të pandehurit Arben Sefgjini në këtë proces gjyqësor. Ndërkaq, dëshmia e vajzës së Ziso Kristopullit, Alma, pritet të shpjegojë dëmtimet e babait të saj të pësuara nga rrahjet barbare të ish-agjentët e SHIK-ut, të urdhëruara nga drejtuesit e këtij institucioni.

Sipas akuzës, të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty pengjet janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›