E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata gjyqësore, PD tenton ta kalojë draftin me shumicë të thjeshtë

Debat tek ligjet. Opozita shprehet se dokumenti vë gjyqësorin në kontroll të plotë nga ministri Alibeaj

TIRANË- Partia Socialiste del në krah të komunitetit të gjyqtarëve dhe hedh dyshime se projektligji Për administratën gjyqësore, ashtu si edhe ai Për Prokurorinë kërkon të rrisë kontrollin e qeverisë mbi sistemin e drejtësisë në vend. Në ditën e parë të shqyrtimit të këtij drafti në Komisionin parlamentar të Ligjeve, opozita, megjithëse ka vlerësuar rëndësinë e një nisme të tillë, ka kërkuar shtyrjen e debatit dhe hapjen e një procesi konsultimi me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit, për të dhënë edhe ata vlerësimin e tyre, si e vetmja mënyrë për të shmangur një politizim të mundshëm të administratës së gjykatave.

Debate

Ashtu si edhe një sërë projektligjesh të tjera që po diskutohen së fundmi në Kuvend, edhe drafti i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë për rregullimin e administratës gjyqësore ka ngjallur jo pak debate midis pozitës edhe opozitës. Ndërsa vetë ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka vlerësuar këtë nismë si një përpjekje serioze për ti dhënë pozitën e duhur punonjësit të gjykatës, duke i dhënë atij Statusin e Nëpunësit Civil, përfaqësuesit e së majtës në Komisionin e Ligjeve janë shprehur skeptikë për një ndërmarrje të tillë, e cila sipas tyre rrit varësinë e kësaj administrate nga titullari i Ministrisë së Drejtësisë edhe nga ekzekutivi.

Nisur edhe nga shqetësimet që kanë shprehur gjatë këtyre ditëve edhe përfaqësuesit e Shoqatës së Gjyqtarëve, nënkryetari i komisionit Fatmir Xhafaj ka kërkuar nga mazhoranca të mos nxitohet, por të nisë sa më parë konsultimin me grupet e interesit dhe misionet ndërkombëtare që asistojnë institucionet shqiptare në fushën e rendit dhe drejtësisë, siç është rasti i EURALIUS. Është shumë e rëndësishme që të programojmë seanca dëgjimore me aktorët që kanë kontribuar në hartimin e këtij ligji, por edhe me grupet e interesit.

Prandaj ne duhet të dëgjojmë se çfarë mendon KLD si përfaqësues i pushtetit gjyqësor. Por duhet të dëgjojmë dhe shoqatat e gjyqtarëve që deri më tani, në mënyrë publike, kanë shprehur rezerva,- u shpreh Xhafaj duke theksuar gjithashtu faktin se mazhoranca ka anashkaluar në mënyrë të qëllimshme, diskutimin e këtij projektligji në nënkomisionin e posaçëm për reformën në sistemin e drejtësisë që është ngritur me vendim të Kuvendit. Akoma më i ashpër në qëndrimin e vet ka qenë ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili nuk ka ngurruar që të shprehë hapur dyshimet se projekti i paraqitur kërkon të vërë nën kontrollin e Ministrit të gjithë administratën gjyqësore. Ne duam të dëgjojmë palët e interesuara dhe besoj se duhet të kuptoni dyshimin tonë se prapa këtij projektligji, ka një tendencë politike për kontroll më tepër nga ana e ekzekutivit, - tha Majko.

Miratimi

Një temë tjetër debati që ka lindur gjatë diskutimit të këtij drafti ka qenë edhe paqartësia ligjore nëse një projekt-ligj i tillë duhet të miratohet me votim të thjeshtë apo të cilësuar me 3/5 e votave të të gjithë deputetëve. Pyetjes së deputetit të PBDNJ-së, Spiro Peçi, për këtë çështje, relatori i mazhorancës Eris Hoxha i është përgjigjur me bindjen se një ligj i tillë nuk kërkon 3/5 e votave. Por kjo ka sjellë një reagim të ashpër të deputetëve opozitarë, të cilët e kanë konsideruar projektin në fjalë si vazhdim i ligjit të miratuar më parë Për pushtetin gjyqësor i cili u miratua pikërisht me 3/5. Deputeti Eris Hoxha garantoi opozitën se do të tentojë të gjejë konsensusin me të, por pa qartësuar nëse do të miratohej me këtë kuorum apo jo.

----------------------------------

Komisioni i Ligjeve shtyn për të disatën herë diskutimin për draftin e spiunëve

Ligji për dosjet, asnjë pakt PD-PS

TIRANË- Ka mbetur pezull puna për diskutimin dhe miratimin e projektligjit Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë ose siç njihet ndryshe projektligji për hapjen e dosjeve të spiunëve. Të dyja palët në debat, pozita dhe opozita nuk kanë arritur ende që të gjejnë gjuhën e përbashkët për hartimin e një drafti të ri nga e para, çka ka bërë që Komisioni i Ligjeve, si komisioni përgjegjës, të shtyjë për të disatën herë diskutimin për këtë çështje.

Një fakt të tillë e ka bërë ditur dje vetë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ka theksuar se mungesa e një konsensusi paraprak mes opozitës dhe mazhorancës për disa çështje kryesore që përmbajnë draftet aktuale, që janë marrë në shqyrtim, ka bërë që të puna e komisionit për këtë çështje të bllokohet. Por megjithatë të dyja palët shfajësohen kur bëhet fjalë për përgjegjësinë për mosdhënien e konsensusit.

Kështu, sipas mazhorancës është opozita ajo që nuk pranon të hyjë në diskutime nëpërmjet relatorëve të saj Arben Isaraj për hartimin e një drafti të ri së bashku me relatorin demokrat, Aldo Bumçi. Nga ana tjetër, opozita evidenton faktin se relatorët nuk kanë për detyrë të hartojnë projektligjin, por thjesht të japin vlerësimet për të. Prandaj ajo këmbëngul në kërkesën e saj, të bërë të ditur nëpërmjet Xhafës, për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, i cili duhet të merret pikërisht me hartimin e këtij ligji.

Por ndërsa palët vijojnë debatin për hartimin ose jo të një projektligji të ri, ajo që është vënë re edhe gjatë diskutimeve të para të kësaj çështjeje në Komisionin e Ligjeve, dy janë çështjet ku pozita dhe opozita kanë dallimet e tyre thelbësore: kategoritë e personave që do ti nënshtrohen verifikimit dhe ndërprerja e mandatit nëse një zyrtar do të rezultonte me dosje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›