Përfundon takimi, kutitë "ndajnë" sërish palët

Pas tre orë diskutimesh ka përfunduar tryeza e kreut të shtetit me liderin e mazhorancës Sali Berisha dhe atë të opozitës Edi Rama. Kjo tryezë duket se nuk shënon një hap para mes palëve, pasi mazhoranca e opozita ndahen tek e njëjta pikë, hapja e kutive. Së paku kështu u kuptua nga deklarata e kreut të qeverisë Berisha pas takimit, i cili theksoi se nuk mund t'i kthehet vendimit të gjykatave. Kreu i qeverisë nuk dha asnjë shpresë për ndonjë negociatë të radhës, pasi theksoi se Presidenti duhet të hulumtojë rrugë të tjera.
"Presidenti të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështjet e bazuara në rezolutën e KiE sikundër e garantova edhe Presidentin edhe zotin Rama se jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështjet zgjedhore që janë bilaterale midis PS dhe PD. Unë i kërkova zotit Rama të listojë problematikën dhe ta trajtojë në gjithçka. Natyrisht unë nuk mund të trajtoj dhe nuk kërkoj të trajtohen problemet që unë kam me gjykatën sikundër nuk trajtohen problemet që zoti Rama ka me gjykatën e apelit. çdo problem që ai ka me mazhorancën jam i hapur ta trajtojmë", theksoi Berisha pas takimit.
Takimi nisi në 11:00.
PS është ulur në tryezë me një memorandum dërguar pak para tryezës. Memorandumi i dërgohej Presidentit Bamir Topi, por në të nuk shkruhej qartësisht kërkesa për "hapjen e kutive".
Kryeministri Sali Berisha ishte i shoqëruar në këtë takim nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa kryetari i opozitës, Edi Rama shoqërohej nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.
Mbledhja u mbajt në sallën e takimeve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, që pas ristrukturimit të Presidencës është një sallë fare pranë hyrjes qendrore.
Media është lejuar vetëm në fillim të takimit, dhe më pas vijoi e mbyllur.
Me përfundimin e takimit pritet që të ketë një njoftim zyrtar nga ana e presidencës për rezultatin e takimit.