E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Lufta fitohet me kryengritjen tonë të qëndrueshme

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët përmes rrjeteve sociale, ku u ndal tek protestat dhe situata politike në vend.

Berisha theksoi se, opozita ka vendosur përpara regjimin dhe se protestat e zhvilluara kanë pasur jehonë të gjerë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Europë dhe botë.

“Ka pasur jehonë më pozitive se të gjithë protestat që kemi organizuar ndonjëherë. Ne mbrojtëm dinjitetin e vendit dhe të kombit tonë, duke treguar se opozita është në këmbë dhe kundër këtij regjimi”, tha ai.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përpjekje për të krijuar një “mburojë ligjore” për veten dhe bashkëpunëtorët e tij, pas dështimit të grushtit të shtetit përmes Gjykatës Kushtetuese.

Berisha komentoi edhe riformatimin e qeverisë, duke e cilësuar si një akt që sipas tij faktoi dominimin e Belinda Ballukut brenda qeverisë.

Megjithatë, ai vlerësoi rolin e protestuesve dhe qytetarëve.

“Pa revoltën tuaj paqësore, këto nuk do të mund të ndodhnin. Lufta nuk është fituar ende; ajo fitohet me kryengritjen tonë të qëndrueshme”, tha Berisha, duke shtuar se shqiptarët janë sot më të gatshëm se kurrë për të ndarë vendin nga ky regjim.

Kryetari i PD-së njoftoi gjithashtu se misioni faktmbledhës i Parlamentit Europian vizitoi Shqipërinë për të vlerësuar situatën në vend. Deputetët e të gjitha grupeve parlamentare të PE evidentuan problematikat e mëdha në vend dhe po përgatitet një raport për të adresuar përgjegjësitë e qeverisë.

Berisha vuri në dukje se gjatë javës së kaluar në Shqipëri qëndroi edhe misioni faktmbledhës i Partive Popullore Europiane, i kryesuar nga sekretarja e përgjithshme Dolors Montserrat. Ai theksoi se përfaqësuesit e PPE gjetën një realitet “shokues” dhe garantuan mbështetje të fuqishme për opozitën dhe qëndrimin e saj.

“Këta përfaqësues na përgëzuan për qëndresën që bëjmë dhe na siguruan për mbështetje më të madhe në vijim”, deklaroi Berisha.

/gj.m/a f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›