E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatiten për tragjedinë greke

Ekonomistët dhe analistët po analizojnë skenarë të ndryshëm të perspektivës greke. Pas dështimit të negociatave për formimin e një koalicioni të ri qeveritar në Greqi, është rritur numri i zërave që shtetin grek e shohin jashtë Eurozonës, njësoj siç po rritet edhe numri i atyre që po merren seriozisht me pasojat e daljes së Greqisë nga unioni monetar evropian.

Për herë të dytë brenda pak më shumë se një muaji, më 17 qershor grekët do të dalin sërish në vendvotime. Krejt kjo si pasojë e përpjekjeve të pasuksesshme për formimin e një qeverie të koalicionit që do ta përmbyllte procesin zgjedhor të 6 majit. Pas bisedimeve të pasuksesshme disaditëshe për formimin e qeverisë së re me presidentin Karolos Papoulias, liderët e tri partive më të fuqishme politike akuzuan njëra-tjetrën për dështimin e negociatave.

Zëdhënësi i presidentit Papoulias ndërkaq njoftoi të martën se vendi do të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme, dhe se deri atëherë do të udhëhiqet nga një qeveri kalimtare. Sipas nenit 37 të Kushtetutës së Greqisë, në këtë rast presidenti duhet të emërojë një kryeministër teknik nga radhët e kryesuesve të ti gjykate kryesore – Gjykatës Supreme Kushtetuese, Gjykatës Supreme Qytetare dhe Gjykatës Supreme Penale, gjegjësisht Gjykatës së Revizorit, njofton agjencia greke ANA. Si rrjedhojë, kryetari i Këshillit Shtetëror dhe i Gjykatës Supreme Kushtetuese, Panagiotis Pikramenos, u emërua të mërkurën për kryeministër teknik të qeverisë kalimtare greke.

Lajmi për zgjedhjet e reja në Greqi ka ulur vlerën e euros në nivelin më të ulët në katër muajt e fundit. Valuta e përbashkët e Eurozonës momentalisht po shkëmbehet me kursin prej 1.2770 dollarëve. Sipas televizionit BBC, që iu referohet gazetave ditore greke, vetëm gjatë disa ditëve të fundit grekët kanë tërhequr nga bankat afro 700 milionë euro. BBC nënvizon se, grekët kanë frikë që dalja e vendit tyre nga Eurozona dhe kthimi në valutën e dikurshme – drahma, do të mund t’i rrezikonin seriozisht kursimet e tyre.

Kryesuesi i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, deklaroi të mërkurën se ndryshimi i kushteve, në bazë të të cilave Greqisë iu lejua pakoja e ndihmës prej 130 miliardë eurove, “nuk vjen fare në konsiderim”.

Sipas tij, është me rëndësi jo vetëm për kredibilitetin e Greqisë por edhe për vetë kredibilitetin e Eurozonës, që të respektohen marrëveshjet, edhe pse “ekziston mundësia e bashkëpunimit me qeverinë greke lidhur me masat për nxitjen e rritjes ekonomike”.

Po qe se Greqia do të tërhiqej “vullnetarisht” nga programi i ndihmës atë sigurisht që do ta priste bankrotimi në të gjitha linjat e borxheve, ndërkohë që, përkundër kësaj, qeverisë do t’i duhej të kursente edhe më tutje, sepse deficiti buxhetor do të vazhdonte të mbetej i lartë. Por edhe nëse, përkundër të gjithave, Greqia do të dëshironte që edhe më tej të mbetej në Eurozonë, mbetet diskutabile nëse shtetet tjera anëtare do ta detyronin të largohej nga unioni monetar.

Ka ekonomistë dhe analistë që tashmë s’kanë asnjë dyshim se Eurozonës do t’i duhet të përshëndetet me Greqinë, ose e kundërta - që Greqia duhet të përshëndetet nga Eurozona. Sipas tyre, tashmë nuk është temë se kur do të ndodhë kjo gjë, por si do të ndodhë dhe cilat do të jenë pasojat e daljes së Greqisë nga Eurozona.

Në marrëveshjet e Bashkimit Evropian askund nuk është paraparë se kur dhe si një shtet anëtar mund ta braktisë Eurozonën. Shikuar nga këndvështrimi teknik, Banka Qendrore Evropiane (ECB) do të mund të vendos që të mos i pranojë më obligacionet greke si garanci bankare, ose që ta refuzojë kërkesën për një ‘injektim’ urgjent të likuiditetit. Nëse kjo ndodh, Greqia s’do të ketë zgjidhje tjetër përpos braktisjes “vullnetare” të Eurozonës.

E, në rast të daljes së Greqisë nga Eurozona, Evropën vështirë se e pret një e ardhme e lakmueshme, mendojnë analistët. Kjo për arsye se, me largimin e Greqisë nga Eurozona, do të fillonte të ulej vlera e aktivave evropiane, ndërkohë që borxhlinjtë do të ishin të detyruar që ato t’i shesin si të munden në mënyrë që t’i përmbyllin borxhet.

Për më keq, dalja e Greqisë nga Eurozona do të ndikonte edhe në ekonominë botërore, njësoj siç ndikoi edhe bankrotimi i bankës investuese Lehman Brothers, në vitin 2008. Madje, sipas disa parashikimeve, ky do të mund të ishte fillimi i një Depresioni (të ri) të Madh.

Dalja e Greqisë kushton një bilion dollarë

Qeveria e Britanisë së Madhe tashmë ka nisu përgatitjet për skenarin e largimit të Greqisë nga Eurozona, pasi që guvernatori i bankës së Anglisë, sir Mervyn King, tërhoqi vërejtjen se “Evropa po shpërbëhet”, shkruan gazeta ‘The Guardian’.

Raportet nga Athina për shumat enorme të parave të tërhequra nga bankat kanë nxitur shqetësime në Londër, se shpërbërja e Eurozonës do të mund të ndikonte në ekonominë britanike, e cila ka ngecur në recesion. Sipas disa vlerësimeve, dalja e Greqisë nga Eurozona do të kushtojë një bilion dollarë.

Po ashtu, edhe SHBA po e përcjellin me nervozë krizën në rritje në Evropë. Të mërkurën, presidenti Obama e përshkroi situatën si “një erë” që do të mund ta cenojë edhe rimëkëmbjen e brishtë ekonomike amerikane.

Dëmi që largimi i Greqisë do t’ia shkaktojë pjesës tjetër të Evropës do të jetë “diku mes katastrofales dhe apokaliptikes” theksoi kreu i Institutit Ndërkombëtar për Financa i Lobit Bankar, Charles Dallara.

“Jam i gatshëm të bëjë gjithçka që duhet për të mbojtur këtë vend dhe për të shpëtuar ekonominë dhe sistemin tonë financiar”, u shpreh kryeministri britanik, David Cameron, pas kësaj prognoze.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›