E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitja për vjedhje të re

Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale në Rusi, beteja verbale mes pushtetit dhe opozitës lidhur me monitoruesit nëpër vendvotime sa vjen e shtohet. Pas zgjedhjeve parlamentare, kur opozita akuzoi pushtetin për falsifikimin e rezultateve zgjedhore në favor të Rusisë së Bashkuar, është paraqitur një armatë e tërë e monitoruesve të ri, kështu që është vështirë të llogaritet se sa monitorues janë bërë tani gjithsejtë.

Liga e Zgjedhësve është vetëm njëra prej organizatave që janë shfaqur pas protestave masive në Moskë. Sikurse edhe organizata joqeveritare Golos, dhe disa organizata të tjera për përcjelljen e zgjedhjeve, edhe Liga e Zgjedhësve i bënë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kontrollit të zgjedhjeve, duke ofruar trajnime e këshilla – madje edhe nëpërmjet internetit – sepse dyshon se edhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale do të mund të falsifikohen.

Në zgjedhjet e dhjetorit monitoruesit partiakë shumë shpesh u përballën me kundërshtimin e komisioneve lokale zgjedhore për t’i lejuar të hynin brenda vendvotimeve, ose me refuzimin që të merrnin kopjet e regjistrimeve.

Kështu, Golos ka publikuar në internet një video-xhirim që zgjat rreth 15 minuta, përmes të cilit monitoruesve të ardhshëm u sqarohen detajisht të drejtat e tyre dhe rregullat zgjedhore , por edhe këshillohen se çfarë duhet të bëjnë deri në zgjedhje, si dhe në ditën e zgjedhjeve - më 4 mars.

"Puna e monitoruesve paraqet një punët guximshme. Nga njëra anë duhet të jeni të shoqërueshëm dhe të këndshëm, e nga ana tjetër të shfaqni edhe të gjitha karakteristikat e një burokrati. Synimi juaj është që të përcillni rregullsinë e zgjedhjeve, e në rast të shkeljes së rregullave të mos harroni që të gjitha t’i evidentoni me fotoaparat apo me kamera”, është porosia me të cilën fillon video-xhirimi.

Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Vladimir Churov, nuk e përjashton mundësinë e largimit të monitoruesve nga vendvotimet për shkak të, siç thotë ai, “përgatitjes së dobët” dhe “dezorganizimit të mundshëm të zgjedhjeve”.

"Do të jetë prezent një numër i madh i monitoruesve, një mësymje e madhe e tyre. E kur diku ka mësymje, kjo nënkupton edhe një përgatitje të dobët”, konsideron Chirov. Prandaj, sipas tij, monitoruesit do të shkelin ligjin, dhe duhet që “lehtas t’iu tërhiqet vërejtja për normat ligjore”.

Shefja e OJQ Golos, Liliya Sabanova, pohon se as që mund të bëhet fjalë për një numër “të tepërt” të monitoruesve, sepse, sipas saj, ligji zgjedhor precizon se në vendvotim nuk mund të jetë nga një monitorues për secilin kandidat presidencial dhe nga një anëtar i komisionit zgjedhor me të drejtë vote.

Sabanova po ashtu nënvizon se nuk munden të gjithë kandidatë presidencial të vendosin monitoruesit e vetë në të gjitha vendvotimet, sepse askush nuk ka aq shumë resurse - përveç kryeministrit aktual, Vladimir Putin. Ndaj, ajo konsideron se brengat e kryetarit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Churov, mund të shpjegohen pikërisht me faktin se monitoruesit janë të përgatitur mirë.

Sipas vlerësimit të Sabanova, Churov kështu vetëm sa iu ka sinjalizuar shefave të komisioneve lokale zgjedhore se monitoruesit mund të përjashtohen nga vendvotimet.

Në anën e atyre që dyshojnë se në Rusi do të ketë zgjedhje të ndershme presidenciale është vënë edhe ish-shefi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili tani është ambasador në Letoni, Aleksander Veshnyakov. Në një intervistë për gazetën ruse ‘Izvestia’, Veshnyakov deklaroi se rezultateve të zgjedhjeve parlamentare nuk i beson “një numër i konsiderueshëm i qytetarëve”.

"Nëse një masë e tillë e njerëzve nuk beson, kjo atëherë do të thotë se ka bazë për diçka të tillë”, theksoi ai, megjithëse e pranoi se edhe në kohë sa ai ishte shef i KQZ’së “fshiheshin faktet” për kurdisjen e rezultateve zgjedhore.

Veshnyakov pohoi se, më parë askush nuk e kufizonte numrin e monitoruesve, dhe se pushteti duhet që të vlerësojë seriozisht punën e monitoruesve, e jo që ata t’i cilësojë si armiq.

Rëndësinë e monitoruesve nëpër vendvotime e nënvizon edhe lideri i opozitës ruse, Jabolko, duke pohuar se sa më shumë që të ketë monitorues në zgjedhje, dhe sa më mirë që ata të jenë të përgatitur, aq më i mundshëm do të jetë edhe raundi i dytë zgjedhor.

Irina Kolpakova, e cila në zgjedhjet parlamentare ishte shefe e komisionit lokal zgjedhor në qytetin Samara, mbeti pa punën që e bënte për shumë vjet. Shkak për këtë ishte, siç pohon, ngase refuzoi që në vendvotimin e saj - në të cilin fituan komunistët – të kurdiste rezultatet në favor të partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, që ishte kërkesë e administratës lokale.

"Ueb-kamerat, kutitë e tejdukshme të votimit, dhe prania masive e votuesve, nuk do t’i pengojnë kryetarët e komisioneve zgjedhore, të cilëve u janë dhënë detyra të caktuara, që ato edhe t’i përmbushin”, deklaroi Kolpakova në një intervistë që e publikoi Liga e Zgjedhësve.

Sipas saj, në “regjistrat e kurdisur” të rezultateve zgjedhore thjesht do të shkruhen shifrat e duhura.

"Çdo gjë bëhet thjeshtë. Detyra është si në vijim: që Putini të kalojë në raundin e parë, me një përparësi të madhe ndaj kandidatëve të tjerë. Me 70 ose më shumë përlind të votave”, thekson Kolpakova.

Përfaqësuesit e shtabit zgjedhor të Putinit, ndaj të gjitha akuzave të opozitës për përgatitjen e vjedhjes së re zgjedhore përgjigjen me pohimin se edhet vetë Putinit tani i duhen zgjedhje të ndershme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›