Përgatitjet për zgjedhjet – Në Dibër votojnë 53.705 qytetarë, mbërrin baza materiale

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë shumë pranë dhe përgatitjet infrastrukturore në Bashkinë Dibër, që përfshijnë logjistikën monitoruese dhe dhomat e fshehta, janë drejt përfundimit.
Këtë e bën të ditur kryetari i KZAZ-së nr. 19, Gafurr Gazidede.
Në ndryshim nga vitet e tjera, kur kanë qenë të hapura 99 qendra votimi, këtë vit, për shkak të rikthimit të një pjese të emigrantëve, është shtuar një qendër votimi. Numri i përgjithshëm arrin në 100 qendra.
“Është shtuar numri i të rinjve,” tregon z. Gazidede.
Nga ana e bashkisë janë marrë masa për personat me aftësi të kufizuara, duke vendosur rampa për akses të lehtësuar, që asnjë qytetar me të drejtën e votës të mos përjashtohet nga procesi.
“Në fshatra nuk presupozojmë se janë të stabilizuara të gjitha, por në qytet janë marrë masat për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara në shikim dhe dëgjim,” thotë kryetari i KZAZ-së nr. 19.
Bashkia Dibër ka gjithsej 53.705 votues, të cilët më 11 maj do të ushtrojnë të drejtën e tyre.
/rtsh.al/