E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, 2 të vdekur, e 7 të plagosur në një ditë

aksidenti durresEkspertët rrugorë kanë dhënë alarmin se përgjatë çdo ditë në vendin tonë ndodhin dy ose tre aksidente me nga një viktimë në ditë, për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara. Aksidentet duken se nuk kanë të ndalur pasi vetëm gjatë ditës së djeshme, tre aksidente të rënda kanë ndodhur në Gjirin e Lalzit, në qytetin e Bajram Currit e në Tropojë, kur janë shënuar plot 5 të plagosur e dy viktima në 24 orë. Por ekspertët e aksidenteve theksojnë faktin se përgjatë këtyre shtatë muajve nga të dhënat e Policisë janë shënuar 1500 aksidente me rreth 200 viktima.

Aksidentet

Sipas të dhënave nga Policia, dy persona kanë gjetur vdekjen ditën e djeshme si pasojë e aksidenteve automobilistike. Një i ri ka vdekjen në Tropojë për shkak se makina ra në humnerë, ndërsa një tjetër një drejtues kamioni që udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit, si pasojë e përplasjes së automjetit me një shtyllë. Policia njoftoi se në Gjirin e Lalzit rreth orës 14:00 një person ka gjetur vdekjen si pasojë e një aksidenti automobilistik. Nga të dhënat nga vend ngjarja mësohet se një makinë me targa të Krujës është përplasur me një shtyllë betoni pranë kompleksit Maminas-Gjiri i Lalzit. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi, Behar Stafuka, 50-vjeç, banues në Nikël. Aksidenti i dytë ka ndodhur rreth orës 10.00 të ditës së djeshme në afërsi të fshatit Babinë në aksin rrugor Qafë Morinë-Bajram Curri ku për pasojë humbi jetën një 24- vjeçar. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së madhe. Drejtuesi i autoveturës me targa të BC, Enver Imeraj, udhëtonte i vetëm. Si rrjedhojë e shpejtësisë tej normave të lejuara, ka dalë nga rruga duke u rrokullisur në humnerë e duke humbur jetën menjëherë.

Apeli

Ndërsa aksidentet sa vijnë e shtohen nga dita në ditë, specialistët bëjnë apel dhe shprehen se papërgjegjshmëria, tejkalimi i normave të shpejtësisë, mospërdorimi i rripit të sigurimit dhe drejtimi i mjetit në gjendje të dehur nga drejtuesit e automjeteve janë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve të shumta që po shkaktojnë çdo ditë nga një viktimë në vendin tonë. vetëm gjatë këtij viti janë shënuar rreth 1500 aksidente me pasojë afro 200 viktima dhe rreth 175 të plagosur, shprehet eksperti rrugor Berti Koxhaj. Nëse bëjmë një përqasje me pasojat e aksidenteve, tek ne në raport me vendet e Bashkimit Evropian pasojat janë shumë herë më fatale sesa aksidentet që ndodhin në botë. Për arsye se shikojnë një mënyrë më agresive sesi drejtohen automjetet nga ana e shoferëve shqiptarë, ku ndikon përdorimi i alkoolit, mospërdorimi i rripit të sigurimit, i cili minimizon pasojat e aksidenteve me makinë, – tha Koxhaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›