Nis dëbimi i romëve, Avokati i Popullit rekomandime Bashkisë dhe policisë
Edhe pse në mbështetje të 30 familjeve rome, për problemin e strehimit të tyre, u vunë edhe institucionet ndërkombëtare, sërish asgjë nuk është marrë parasysh, pasi firma ka filluar ndërtimet ditën e djeshme, ndërsa asnjë masë nuk është marrë nga Policia e Shtetit edhe pas apelit të kreut të këtij dikasteri Hysni Burgaj. Odiseja e nxjerrjes në rrugë të familjeve rome, ku ata janë dëbuar nga ndërtesa në afërsi të parkut të autobuzave u përfol jo pak edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend, që dënuan veprimin e firmës që ka në pronësi tokën ku jetojnë romët, dhe theksuan e bënë apel për zgjidhjen e këtij problemi. Jo vetëm Organizata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit, e përfaqësues të OSBE-ODHIR, por edhe ambasadorë të ndryshëm i bënë apel institucioneve shtetërore të strehojnë familjet rome, që prej disa javësh po jetojnë në qiell të hapur.
Nisja e punimeve
Kundër çdo urdhri për ndërtimin e objektit në këtë hapësirë ku kanë jetuar romët, firma kontraktuese ka nisur punimet duke ngritur murrin rrethues. Mbi 30 familje rome gjenden në rrugën, pra jashtë barakave të tyre ndërsa 7 familje të tjera gjatë natës janë rikthyer përkohësisht në barakat e tyre. Komisionerët e Avokatit të Popullit ndodhen në terren duke monitoruar situatën dhe drejtori i shërbimit të qytetarëve në këtë institucion Besnik Deda tha se as Bashkia e Tiranës, as policia e shtetit e as komisariati nr 2 nuk po reagojnë ndaj kësaj situate.
Rekomandimet
Rekomandimi i parë bëhet për drejtorin e përgjithshëm të policisë Hysni Burgaj që të marrë masa ndaj kërcënimeve të paprecedentë që i bëhen këtij komuniteti.
Rekomandimi i dytë është për Ministrinë e Punës dhe Bashkinë e Tiranës për gjetjen e strehimit të këtyre banorëve. E ndërsa pronari i këtij trualli ka nisur me punimet, 37 familjet rome gjenden në rrugë të pastrehë. Në këtë vend, përveç komisionerëve nuk ka qenë të pranishëm as efektiva të policisë, sipas urdhrit të 2 ditëve të mëparshme të drejtorit Burgaj dhe as autoritet të bashkisë apo ministrisë së punës për të gjetur një zgjidhje për këta banorë. Vetëm dy ditë më parë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Tiranë ka rikujtuar edhe një herë se respektimi i të drejtave të komunitetit rom dhe gjithë përfshirja sociale e tyre është një ndër 12 prioritetet që duhet të përmbushë Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian ndaj institucionet shtetërore duhet të marrin masa të menjëhershme.