Përgjaket Siria, mbi 200 viktima, KS kërcënon me rezolutën

Më shumë se 200 vetë janë raportuar të vrarë në Siri, disa orë para se Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka planifikuar të votojë pro projekt-rezolutës që ka për qëllim të ushtrojë presion mbi qeverinë e Asad, për t`i dhënë fund muajve të gjatë së dhunës mbi demonstruesit.
Organizata Siriane për të Drejtat e Njeriut deklaroi se qindra të tjerë kishin mbetur të plagosur. Qyteti i Homsit ka qenë një nga qendrat më aktive të kundërshtimit ndaj regjimit të Presidentit sirian Bashar al-Assad gjatë protestave të filluara rreth 11 muaj më parë. Ndërkohë që numri i viktimave rritet, Këshilli i Sigurimit tha se do të votojë sot mbi një projekt-rezolutë për Sirinë. Rusia ka paralajmëruar se do t`i vinte veton disa versioneve të mëparshme të rezolutës, ndërsa administrata e Presidentit amerikan Barak Obama ka ushtruar trysni që të mbështetet një version më i butë, që dënon dhunën në atë vend.