E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaket aksi Elbasan-Librazhd, vdesin katër persona

aksidenti-2Aksidenti më i rëndë i kësaj vere ka përgjakur aksin Elbasan-Librazhd ditën e djeshme ndërsa nga përplasja e dy automjeteve dhe një kamioni kanë humbur jetën katër persona. Si pasojë e përplasjes së tre mjeteve, katër persona kanë humbur jetën ndërkohë që disa të tjerë janë plagosur rëndë. Sipas informacioneve paraprake nga policia, një mjet tip BMË për shkak të një parakalimi të gabuar i ka prerë rrugën një furgoni pasagjerësh të linjës së Korçës. Në tentativë për të evituar përplasjen, drejtuesi i furgonit ka devijuar duke i prerë rrugën një kamioni i cili më pas ka përplasur të dyja mjetet. Mjetet e përfshira në aksident janë makina BMË me targa AA 971 EA, dhe furgoni me targa LB 001 A. Policia në lidhje me këtë ngjarje të rëndë po merr dëshmi e të dhëna për viktimat që mendohet se janë nga fshatra të largëta e në momentin e udhëtimit ishin edhe pa dokumente identifikimi.
Dëshmitë
Sipas të dhënave nga policia kanë qenë dëshmitarët në vendin e ngjarjes ata që lajmëruan menjëherë policinë, por megjithë ndërhyrjen e uniformave blu dhe të shërbimit zjarrfikës ka qenë mjaft e vështirë nxjerrja e të plagosurve nga furgoni, për shkak të dëmtimit të rëndë të mjetit. Për rreth 30 minuta të plagosurit nuk kanë mundur të dalin nga mjeti i përplasur. Për shkak të ngjarjes së rëndë dhe punës intensive të policisë ende nuk është bërë publik identiteti i viktimave dhe të plagosurve. Ndërkohë, shërbimet e ambulancës kanë dërguar për në spitalin rajonal të Elbasanit të plagosurit për të marrë ndihmën mjekësore, nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë. Nga ana tjetër, viktimat janë dërguar në morgun e qytetit ku do të bëhet i mundur edhe identifikimi i tyre. Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.
Aksidentohet polici i trafikut
Ndërsa një tjetër aksident është shënuar ditën e djeshme në qytetin e Elbasanit ku një punonjës i policisë rrugore është aksidentuar teksa patrullonte gjatë orarit të punës. Ngjarja është shënuar në lagjen “11 Nëntori”, ku sipas policisë efektivi Faik Çollaku është përplasur nga një makinë teksa drejtonte motorrin me targa te policisë shqiptare 659. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se makina që përplasi policin drejtohej nga një shtetas turk, i cili është shoqëruar në komisariat për tu marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Ndërkohë polici i plagosur është dërguar me urgjencë në spital, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›