Përgjaket sërish autostrada, 2 të vdekur, 6 të plagosur
TIRANË- Përgjaket sërish autostrada Tiranë- Durrës. Dy persona kanë humbur jetën ndërkohë që 6 të tjerë kanë mbetur të plagosur kur makina me të cilën po udhëtonin ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën e autostradës.
Aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit dhe mendohet se shkak është bërë humbja e kontrollit të drejtim të makinës nga ana e shoferit. Mësohet se viktimat dhe të plagosurit kanë qenë duke u kthyer nga një dasmë në Sukth dhe janë banorë të Kamzës.
Sipas të dhënave të para të policisë, Kadri Brahaj dhe Valbona Metaj kanë humbur jetën menjëherë, ndërkohë që 6 udhëtarët e tjerë që ishin brenda fuoristradës kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Të plagosur sipas policisë janë shtetasit Mydajet Ringa,52 vjece, Feride Ringa,38 vjece, Hajrie Dezhani, Saimir Metaj, Ermal Brahaj dhe Din Cuni, i cili ka qenë dhe drejtuesi i automjetit.
Aksidenti vjen vetëm një ditë pas tragjedisë në këtë autostradë, kur 5 vetë, anëtarë të dy familjeve humbën jetën, pikërisht duke u kthyer nga një dasmë.
26 korrik
Aksident tragjik në autostradë, 5 të vdekur; Nëna me dy vajzat dhe një çift
DURRËS- Pesë persona pjestarë të dy familjeve me mbiemrat Skënderi dhe Lekdushi kanë mbetur të vdekur në një aksident tragjik në autostradën Tiranë-Durrës qe ndodhi rreth ores 04:00. Viktimat po ktheheshin nga një dasmë kur janë përplasur me një makinë tjetër në kryqëzimin e Maminasit. Drejtuesja e automjetit tip Vosvagen ku po udhëtonin 5 dasmorët ka hyrë gabimisht në korsinë tjetër për pasojë është përplasur me makinën që po vinte përballë duke shkaktuar aksidentin fatal. Pesë vetë kanë vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur dhe janë në gjendje shumë të rëndë në spitalin Ushtarak.
Viktimat janë Haxhire Skënderi, rreth 60 vjeç, Doloreza Skënderi 27 vjeç dhe Lindita Limani 43 vjeç, përkatësisht nëna dhe dy vajzat. Po kështu viktima kanë mbetur edhe çifti Eduard Lekdushi 57 vjeç dhe Lumturie Lekdushi 50 vjeç, të cilët lanë jetim dy fëmijë.
Gazetari i Shekullit në vendngjarje thotë se aksidenti ka qenë aq i rëndë sa makina tip Volsvagen me targa të Tiranës është ndarë në mes, në trafikndarësen e rrugës si pasojë e goditjes që ka marrë nga makina tjetër që po ecte në korsinë e saj.
Pesë viktimat janë identifikuar vetëm 6 orë pas aksidentit, pasi kanë qenë totalisht të shpërfytyruar, me pjesë të trupit të shpërndarë në asfalt. Ndërsa disa pjesë të makinës janë gjendur edhe 60 metra larg vendit të aksidentit.
Nga të dhënat paraprake të policisë në vendngjarje mësojnë se drejtuese e automjetit ka qenë Doloreza Skënderi e cila në kryqëzimin e Maminasit teksa ka dashur të marrë rrugën për në Tiranë, ka drejtuar makinën gabimisht në korsinë tjetër, kur përballë i ka dalë makina që po ecte në kahun e saj por pa mundur të devijojë. Tre personat që po udhëtonin në makinën tjetër kanë marrë plagë të rënda. Ata janë Ilir Bardhi, 18 vjeç, Nuel Papuli 19 vjeç dhe Elda Mallkutaj 17 vjeç, të gjithë nga Tirana. Të plagosurit sapo kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Durrësit janë transportuar në Spitalin Ushtarak për një mjekim më të specializuar.