Përgjigje për Mesdheun pa përjashtuar ferexhenë

Stefan Taçi
Valeria Dedaj
Stefan Taçi është një nga pesë artistët që ekspozon në Ngjyrat e pranverës në galerinë FAP, Universiteti i Arteve. Ky është një takim artistësh shqiptarë dhe të huaj që mendohet të vazhdojë në të ardhmen. Taçi është zgjedhur për edicionin e parë titulluar Udhëtim përmes artit, krahas Ledia Konstandinit, Besim Tulës dhe dy piktoreve franceze, Béatrice Richard-de Saint-Jean dhe Aymard Le Forestier De Quillien. Stefan Taçi merr pjesë me gjashtë punë: Triptik, Kambanorja, Homazh, Vështrimi i arabeskave, Dritarja dhe Mesdhe. Megjithëse ka studiuar për skulpturë, prej më se 20 vjetësh, ai shprehet përmes pikturës. Nuk ka një datë apo çast të caktuar sesi filloi të shfaqet ky cikël në krijimtarinë e tij, madje në bisedën me të ai dyshonte nëse mund të flitet për fillesë. Sipas tij, gjithçka lind nga fëmijëria, prej saj ka mbartur çdo copëz mozaiku kulturor që e rrethon. Mjafton një kujtim, udhëtim, fotografi e rastit, që diçka tjetër të marrë jetë në pikturë.
Çfarë i bashkon gjashtë punët e ekspozitës? E para, Triptik, nga çfarë merr shkas?
Në secilën prej gjashtë punëve gjen një këndvështrim të gjerë mbi historinë, kulturën mesdhetare. Të gjitha këto të filtruara nëpërmjet këndvështrimit modern.
Triptiku i bën jehonë kulturës bizantine, shkëlqimit të humbur të asaj kulture që për shumë shekuj i ka dhënë shumë pellgut mesdhetar dhe mbarë njerëzimit.
Edhe Kambanorja që ka për motiv lundrimin në Mesdhe, i referohet vendeve nëpër të cilat kanë udhëtuar popujt e Mesdheut, ku kanë marrë e dhënë me njëri-tjetrin. Zanafilla e qytetërimit modern është në Mesdheu i cili ka shërbyer si një treg i hapur në shkëmbimin e dijeve mes popujve. Por ky është motiv me të cilin piktura abstragon.
Ose ky motiv mund të bëhet shumë konkret si tek tabloja Dritarja ku ju keni përdorur një element etnografik.
Një dantellë në dritare mund ta gjejmë në të gjitha kulturat mesdhetare. Duke e futur me një frymë bashkëkohore, e sjell si një traditë që në ditët tona mund të bashkëjetojë pa ngecur askund.
Shohim tablonë Vështrimi i arabeskave dhe donim të dinim qëndrimin tuaj mbi ferexhenë.
Skam mbajtur asnjë qëndrim, mbështetës apo agresiv. Thjesht e kam punuar në pikturë për ta evidentuar si element mesdhetar. Ferexheja është motiv për mjaft diskutime mbi kulturat dhe fetë sot. Pjesë e kulturës mesdhetare, një nga elementet e fesë islame, duam apo sduam ne, është edhe ferexheja. Prandaj unë jam munduar ta vendos në një sfond më të kuptueshëm.
Motivet mund të ikin dhe rikthehen në pikturën tuaj, por motivet vetë nga vijnë dhe çfarë i nxit?
Është shpeshherë një specifikë e papërcaktuar, sepse hera herës një punë lind vetvetiu duke medituar gjatë, mbi kujtimet, mbi një lexim, mbi një fotografi etj., dhe nga këtu mund të fillojë e të lindë krijimi vetvetiu. Për shembull, një nga njerëzit që mund të më kujtonte fëmijërinë është gjyshi im. Pavarësisht se unë se kam njohur personalisht, kompozimi Homazh që i dedikohet atij, merr shkas nga një foto e gjyshit.
Çfarë vini re në skenën e artit bashkëkohor në Shqipëri?
Mundësit kanë qenë të mëdha për të pasur konkurse mbi artin bashkëkohor. Për shembull një ndërhyrje në arkitekture për strukturën e Parkut të Tiranës mungon. Filli që lidh artistin me arkitektin është këputur. Shpeshherë investitorë dhe ndërtues kanë injoruar pjesën e artit në punët e tyre. Ndoshta për arsye kostoje, por kjo lidhje duhet të rigjehet jo vetëm për qëllime estetike, por edhe në funksion të një mënyre jetese për njerëzit.
Sikur jeni shkëputur nga filmi i animuar vitet e fundit?
Nuk jam shkëputur, pavarësisht se i fundit ka qenë në vitin 2007 Butterfly. Nuk kam punuar sepse nuk kam gjetur mundësitë. Mungesa e një grupi mbështetësish apo bashkëpunëtorësh në njëfarë mënyre më ka shmangur prej asaj pune. Prandaj në një moment të caktuar dhe mund ti rikthehem sepse animacioni është pjesë e krijimtarisë sime.