E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset: Nuk marrim kredi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm

Guvernatori Fullani ne takim me perfaqesuesit e biznesit

Emirjon Senja

Bizneset parashikojnë një situatë jo shumë të përshtatshme për të zgjeruar aktivitetin e tyre gjatë gjysmës së parë të këtij viti, prandaj edhe mendojnë të mos investojnë përgjatë kësaj periudhe në pritje të një situate më të mirë. Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një anketë me bizneset dhe individët në lidhje me borxhin dhe planet për të marrë kredi gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Nga të dhënat e mbledhura, mësohet se dy të tretat e bizneseve që i janë nënshtruar anketës nuk kanë ndërmend të marrin kredi të paktën përgjatë gjysmës së parë të këtij viti. 66.3 për qind e bizneseve e nuk parashikojnë të marrin kredi gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm, ndërkohë 70 për qind e tyre pohojnë se shpenzimet për pagesën e huas është rritur. Shpenzimi mujor (vjetor) për pagesën e huas: mesatarisht 24.6 për qind të të ardhurave. Për 73.5 për qind të të anketuarve madhësia e vlerës së përgjithshme të huas përbën rreth 50 për qind të kapitalit, – raporton Banka e Shqipërisë. E nëse nuk ka zgjerim të aktivitetit, kjo pritet të reflektohet tek vendet e reja të punës, të cilat sipas gjasave do të jenë më të pakta gjatë periudhës për të cilën bëhet fjalë.

Sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, mësohet se 61 për qind e bizneseve që kanë marrë kredi,  e kanë atë afatshkurtër (1 deri në 12 muaj), 29 për qind kanë marrë kredi afatmesme (1 deri në 5 vjet), kurse vetëm një pjesë e vogël e bizneseve kanë marrë kredi afatgjatë (më shumë se 5 vjet). Tregues të tillë vërtetojnë atë çka ka deklaruar deri më tani BSH nëpërmjet vrojtimeve të saj se bizneset marrin më shumë kredi për të mbyllur shpenzimet e momentit, ndërsa zgjerimi i aktivitetit nëpërmjet investimeve mbetet në vend të dytë. Kështu përshembull, nga anketa e kryer, BSH raporton se 32 për qind e bizneseve kanë zgjeruar aktivitetin gjatë gjashtëmujorit të fundit të 2011-ës. Kushtet e kredidhënies vazhdojnë të jenë të shtrënguara sipas anketës. Një gjë e tillë pasqyrohet edhe nga kredia e mbuluar me kolateral. Rreth 75 për qind e bizneseve që kanë një kredi për të shlyer, deklarojnë se e kanë siguruar atë nëpërmjet kolateralit.

Bizneset janë kredimarrësit më të mëdhenj të sistemit bankar, ndërsa individët, depozituesit më të mëdhenj. BSH raporton se deri në fund të dhjetorit të vitit të shkuar, depozitat e bizneseve në sistemin bankar u pakësuan me 1.8 miliardë lekë, kurse kredia u rrit edhe me 51.6 miliardë lekë. Ndryshe nga bizneset, individët ulën kredimarrjen dhe rritën depozitat. Mësohet se deri në fund të dhjetorit, individët rritën kredimarrjen me 96.4 miliardë lekë dhe ulën depozitat me 380 milionë lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›