Përgjigjja e Beogradit
Zyrtarët e lartë në Beograd kanë qëndruar larg mediave të premten, kur në Kosovë po zhvillohej operacioni i vendosjes së kontrollit në pikat kufitare në pjesën veriore.
Një ditë pasi EULEX’i dhe KFOR’i arritën bashkë me doganierë dhe policë kosovarë në atë pjesë, autoritetet serbe kanë kërkuar që kjo temë të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel gjatë raundit të ardhshëm, të caktuar për datën 28 shtator.
Në tërë këtë muhabet, fjalën kryesore sërish e ka marrë kryenegociatori serb Borko Stefanovic, i cili të shtunën në veri ka shpalosur propozimin e ri serb.
Shefi i delegacionit serb ka thënë se propozimi i Beogradit, siç ka thënë ai, për zgjidhjen e krizës në Kosovës është dërguar në Bruksel dhe se ofron mundësi që çështja e dy pikëkalimeve kufitare të zgjidhet në atë mënyrë që të jetë e pranueshme për të dyja palët.
Ai ka thënë se Beogradi është duke pritur përgjigjen e Brukselit ndaj kësaj iniciative, duke thënë se një gjë e tillë pritet të ndodhë shumë shpejt, sipas tij, edhe para raundit të ardhshëm të bisedimeve, që është caktuar për 28 shtator.
Negociatori serb ka theksuar se gjatë takimit të ardhshëm në kryeqytetin europian nuk duhet të jetë temë çështja e energjisë elektrike dhe e telekomit.
Nëse nuk diskutohet për dy pikat kufitare, Stefanovic ka thënë se ka mundësi që raundi i ri të mos zhvillohet fare.
Stefanovic ka thënë se propozimi serb nuk parasheh praninë e doganierëve kosovarë në veri.
“Propozimi i Beogradit në asnjërin element nuk përmban praninë e doganierëve dhe policëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Stefanovic ka deklaruar se prania e doganierëve kosovarë në Jarinje dhe Bërnjak nuk është diskutuar asnjëherë dhe se as Dogana e Kosovës nuk ka funksionuar ndonjëherë atje.
Ai ka thënë se pret përgjigje nga Brukseli për iniciativën e Beogradit dhe mundësinë që kjo çështje të zgjidhet duke u pranuar nga të dyja palët.
Duke folur për operacionin në veri, Stefanovic ka thënë se një gjë e tillë është bërë me qëllim që të bëhet me dije se ky është realiteti i ri dhe se situata nuk mund të ndryshojë.
“Ata kanë krijuar një iluzion të pabesueshëm dhe dy ishuj të izoluar me nga 200 m2 që janë iluzione të Hashim Thaçit se këtu mund të kontrollojë diçka”, ka thënë Stefanovic. Kërkesën e palës serbe për përfshirjen e dy pikëkalimeve kufitare në bisedime e ka konfirmuar edhe Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.
“Çështja se kush do të jetë në pikëkalime dhe se ku do të shkojnë mjetet që mblidhen aty nuk ka qenë pjesë e dialogut. Ne pajtim me këtë, ne kemi kërkuar nga BE që këto çështje të diskutohen menjëherë, ndoshta qysh në raundin e ardhshëm të dialogut”, ka thënë ai.
Ai ndërkaq ka bërë edhe një paralajmërim për mundësinë e bllokimit të rrugëve që shfrytëzohen, siç ka thënë ai, më së shumti nga shqiptarët.
Pikëkalimi ku më së shumti ka qarkullim mes Kosovës dhe Serbisë është kufiri në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë.
Kërkesa e re e Beogradit është komentuar të shtunën nga udhëheqësja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, e cila e ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për këtë temë.
Ajo ka thënë se Kosova asnjëherë nuk do të bisedojë për çështjen e pikave doganore në veri dhe se kjo çështje është kapitull i mbyllur njëherë e përgjithmonë.
“Në bazë të propozimit të ndërmjetësit të BE’së, Cooper, takimi i radhës është paraparë më 27 dhe 28 shtator dhe ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, si palë në këto bisedime, kemi konfirmuar se jemi të gatshëm.
“Në fakt qëllimi i këtij dialogu është i karakterit teknik. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore pse ne si Qeveri e Kosovës e kemi pranuar dialogun, prandaj edhe dialogu do të bëjë fjalë për temat praktike, jo për çështje politike”, është shprehur Tahiri.