E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet, dorëhiqet gjyqtari i 21 janarit

TIRANE-Ibrahim Hoxha, gjykatësi i caktuar nga shorti për të gjykuar dosjen në ngarkim të të pandehurit Armando Kasaj, i akuzuar se ka fshirë serverin e kamerave të Kryeministrisë më 21 janar, ka paraqitur dorëheqjen pak ditë më parë pranë Kryetarit të Gjykatës. Në këtë kërkesë mësohet se, Hoxha bën të ditur se nuk mund të gjykoj këtë dosje pasi gjatë hetimeve paraprake ai ka gjykuar një kërkesë të paraqitur nga organi i akuzës, duke autorizuar përgjimin e të pandehurve të 21 janarit. Më konkretisht, bëhet fjalë për një kërkesë për mbajtjen nën përgjim të bisedave të të pandehurve dhe sipas ligjit, ky gjyqtar nuk mund të gjykoj sërish të njëjtët të pandehur. Ndërkaq, kërkesa e dorëzuar nga ana e gjyqtarit Ibrahim Hoxha pritet të shqyrtohet nga ana e Kryetarit të Gjykatës së Tiranës dhe nëse ai konstaton shkelje, atëherë dosja do të hidhet sërish në short, nga ku do të përcaktohet një tjetër gjyqtar që do të gjykojë dosjen në ngarkim të të pandehurit Armando Kasaj.
Dosja e Kasajt
Armando Kasaj, shefi i IT-së së Kryeministrisë, akuzohet se pasditen e datës 21 janar 2011, vetëm pak minuta pas përfundimit të demonstratës ku humbën jetën 4 persona, ai ka kopjuar dhe ka fshirë nga serveri qendror pamjet e kamerave të sigurisë së Kryeministrisë. Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë thuhet se, ai ka ndërhyrë në server menjëherë pas ngjarjeve të datës 21.01.2011 në orën 19:24, duke kopjuar të gjitha regjistrimet e kamerave të sigurisë. Regjistrimet rezultojnë të jenë kopjuar dhe më pas fshirë duke mbajtur të fshehtë përmbajtjen e tyre dhe aktualisht ende nuk janë vënë në dispozicion të hetimit. Sipas aktit të ekspertimit të kryer nga autoritetet amerikane të drejtësisë rezulton se kanë qenë më datë 21.01.2011 në gjendje pune gjithsej 11 kamera. I pyetur si person që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit më datë 04.04.02011, i pandehuri Armando Kasaj midis të tjerave ka deklaruar se: “Në momentin kur kam futur USB-në në kompjuterin tim, kam vënë re se u shfaqën dy foldera me emërtime teknike të vetë sistemit. Këtu pashë se njeri kishte kapacitet më të madh dhe tjetri më të vogël. Unë zgjodha atë me kapacitetin më të madh dhe e hodha në një CD-DVD, të cilën ia dorëzova një punonjëseje të Gardës, femër të cilën e thërrisnin Vina. Folderin me kapacitet më të vogël e hodha në një CD-DVD tjetër dhe e lashë në zyrë. Më pas qëndrova dhe pak në punë”.

Prokuroria shprehet se rezulton e provuar se i pandehuri Armando Kasaj ka qenë personi i cili ka kryer kopjimin e të dy kamerave, përkatësisht të kamerës Nr.1 dhe të kameras Nr.2. I pandehuri, sikurse ka dhënë dhe deklarimet para oficerit të policisë gjyqësore, ka kopjuar pamjet në dy CD-DVD të cilat kanë një kapacitet prej 4 GB dhe duke kryer veprime për asgjësimin e pamjeve të kamerës Nr.2 dhe ka vënë në dispozicion të eprorëve të tij për kamerën Nr.2 pamje filmike jo më në një CD-DVD, por në një CD-R që ka një kapacitet prej 700 MB. Nga konstatimi i pamjeve të administruara në fashikullin e hetimit rezulton se, pamjet e kameras Nr.2 zgjasin vetëm pak minuta dhe përmbajnë pamje të kohës pas vrasjeve të ndodhura më datë 21.01.2011. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se, Kasaj ka qëndruar në ambientet e Këshillit të Ministrave deri pas orës 23:30 dhe ka qenë personi i vetëm që ka pasur dijeni për funksionimin e sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave.

Dëshmia e Kasajt: Pamjet
i kopjova, por si fshiva
Zbardhet dëshmia e specialistit të IT-së në kryeministri Armando Kasaj. Ai u ka rrëfyer hetuesve të gjithë veprimet që ka kryer në godinën e qeverisë, mbrëmjen e 21 janarit pasi kishte përfunduar demonstrata e dhunshme me katër të vrarë. Kasaj ka pohuar se i ka kopjuar, por si ka fshirë pamjet e serverit qendror. “Kam hequr USB-në dhe kam shkuar te zyra ime te kompjuteri im i zyrës kam futur USB-në në portën përkatëse. Kam marrë një DVD nga të mijat që ishte bosh e kam futur në kompjuter dhe me auto play e USB-së janë shfaqur dy foldera. I pari ishte shumë i madh mbi 2 gb dhe një tjetër më i vogël, nuk e mbaj mend me sa. Kam bërë procesin e kopjimit për folderin me të madh dhe e kam kopjuar në DVD-në që kisha futur në kompjuter. Pasi mbaroi procesi për rreth 20 minuta maksimumi ia kam dorëzuar këtë DVD një punonjësi të Gardës që nuk e mbaj mend. Pas kësaj kam vazhduar me punë të tjera. Jam rikthyer në zyrë duke u marrë përsëri me gjëra rutinë. Ndërkohë, USB-ja qëndronte e hapur dhe mendova që para se të largohesha në shtëpi mendova që pjesën tjetër ta hidhja në një cd dhe mesa mbaj mend e kam hedhur në një cd jo dvd pasi nuk kishte përmasa shumë të mëdha. E kam lënë në sirtar dhe rreh orës 23:00, pasi kam komunikuar të më sillnin makinën jam larguar në shtëpi…”, - ka rrëfyer Kasaj. 

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›