E Diel, 1 Nëntor 2026

Orë kritike në Greqinë e krizës. Zhvillohen sot zgjedhjet parlamentare

ATHINE - Vazhdojnë që nga ora 7:00, pa probleme, votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi, që cilësohen si më të rëndësishmet dhe më kritiket për vendin, që pas rrëzimit të diktaturës. 

Qeveria që do të dalë prej tyre, do të marrë në duar fatet e vendit, i cili kërcënohet të dalë nga Euro e të hyjë sërish në rrugë pa krye, nëse nuk zbaton reformat e kërkuara nga huadhënësit.

Rreth 9 milionë e 900 mijë grekë kanë të drejtën e votës, për të zgjedhur mes 32 partive politike, që garojnë në këto zgjedhje. Faktorë përcaktues të rezultatit të votimeve, pritet të jenë abstenuesit, të rinjtë që votojnë për herë të pare (rreth 360 000), grate (rreth 5 milionë), pensionistët si dhe zonat e mëdha si Athina, ku voton thuajse 1/5 e elektoratit. 

Partia e favorizuar në zgjedhje është Demokracia e re, edhe pse edhe kjo nuk do të arrijë më shumë se 25%, ndërsa PASOK e ka humbur mbështetjen e më shumë se gjysmës së zgjedhësve të vitit 2009, për shkak të politikave të ndjekura, të diktuara nga BE dhe FMN. Mosbesimi ndaj partive të mëdha do të sjellë në Parlament 8 parti të vogla, ndër të cilat edhe disa forca ekstremiste, që premtojnë se nuk do të vazhdojnë të respektojnë marrëveshjen e borxhit.

Votuan sot paradite krerët e shtetit dhe krerët politikë, të cilët iu kanë bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës. 

Presidenti Karolos Papulias tha se "është momenti më i madh i demokracisë, vota e qytetarit për të zgjedhur të ardhmen e tij, të ardhmen e fëmijëve dhe të ardhmen e shtetit. Duhet të kemi një pjesëmarrje të madhe, mendje të kthjellët dhe opsione të qarta, që Greqia të shkojë nesër përpara".

Kryeministri i qeverisë së përkohshme Lukas Papadhimos tha pas votimit tha se “Vota e qytetarëve është momenti kulmor për demokracinë. Ne të gjithë jemi dakord se këto janë zgjedhjet ndoshta më kritike për vendin". 

Kreu i PASOK, Evangelos Venizelos e cilësoi ditën e sotme “më të rëndësishmen për vendin pas vitit 1974". "Ne shpresojmë shumë që njerëzit do të gjykojnë me vetëdije historike, duke llogaritur gjithmonë qetë, me shpresë dhe optimizëm për të ardhmen", tha Venizelos, pas votimit.

Kreu i Demokracisë së re Antonis Samaras deklaroi se "Sot qytetarët grekë votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për stabilitetin, zhvillimin dhe drejtësinë".

Ish kryeministri Jorgos Papandreu tha pasi votoi se “Kemi bërë një rrugë të gjatë, por ende kemi për të bërë që vendi të qëndrojë me këmbët e veta. Populli grek nuk duhet ta humbasë punën e vështirë dhe sakrificat që ka bërë deri më tani”, dhe i ftoi votuesit të votojnë për PASOK.

Kanë votuar gjithashtu edhe krerët e partive më të vogla, që në këto zgjedhje presin të kenë një mbështetje më të madhe.

Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit në ora 19 00 do të publikohen exit poll-et, që krijojnë një ide për orientimin e votës, ndërsa rreth mesnatës, mund të fillojnë të dalin rezultatet e para zyrtare.
Lidhje te tjera  Zgjedhjet parlamentare në Greqi, në fokusin e shtypit botëror VIDEO: Zgjedhjet parlamentare në Greqi, në fokusin e shtypit botëror

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›