E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i Peqinit, PS: Të përjashtohet Dash Sula nga parlamenti

Partia Socialiste ka dënuar sot  incidentin e një dite më parë në stadiumin e Peqinit në ndeshjen mes Shkumbinit dhe Flamurtarit (1-0), ku dyshohet se deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka qëlluar me pistoletë në ajër.

Në një deklaratë për median, deputeti i partisë socialiste Fidel Ylli ka deklaruar: Për mua është e pakonceptueshme si ky njeri, pa dashur ti vë epitete, shkon dhe bën një sjellje të tillë skandaloze të përsëritur nëpër stadiume një ditë më parë dhe të nesërmen, vesh kostumin e vjen midis nesh në Parlament, në Komisionin e Sigurisë dhe përfaqëson popullin shqiptar. Për mua, është e pakonceptueshme se si zonja Kryetare e Parlamentit apo zoti Kreministër nuk e ka thirrur asnjëherë këtë deputet e as nuk e kanë dënuar ndonjëherë këtë sjellje të tillë të turpshme.

Më tej deputeti Fidel Ylli tha se, deputeti Dashnor Sula dhunon gjyqtarët, arbitrat, gazetarët, gjithçka që i del përpara, duke prishur imazhin e tij si deputet dhe imazhin e qytetit të Shkumbinit, qytetarët e të cilit janë dashamirës ndaj sportit dhe që kanë nxjerrë edhe kampionë.

Duke e vënë theksin tek raste te përsëritura të dhunës në stadiume nga deputeti Sula, Ylli shprehi habi që kryeministri, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk e kanë thirrur ndonjëherë deputetin për të sqaruar rastet.

Unë habitem me kryetaren e parlamentit, që pretendon të bëhet edhe presindente, që nuk e ka thirrur ndonjëherë këtë deputet, që ka mbi 4-5 raste që krijon dhunë në stadiume. Habitem me kryeministrin që na flet për 12 prioritetet, si nuk e thërret këtë deputet. Habitem me grupin parlamentarë që nuk mban një qëndrim mbi këtë deputete.- tha Ylli.

Ylli ka cilësuar si mashtrime ordinere deklaratat e Sulës, ku ai mohon lajmn dhe e konsideron atë thashethem. Sipas Yllit  nëse ai nuk do të ishte deputet, me gjithë këto raste të përsëritura dhune do të rrezikonte deri burgim të përjetshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›