E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjysmohet lista e mbetjeve që importohen

 Kryeministri Berisha ka firmosur vendimin “Për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen për qëllime përdorimi, riciklimi, dhe përpunimi".

“Bashkimi Evropian ka një listë prej mbi 460 artikuj mbetjesh jeshile, qarkullimi i lirë i të cilave është i detyrueshëm për vendet anëtare dhe natyrisht Shqipëria, duke avancuar në procesin e saj të integrimit do të pranojë standardet dhe normat e kërkuara nga ky proces. Por në stadin aktual, qeveria, pas konsultimesh të gjera me shoqërinë civile, zërin e të cilës Kryeministri është i vendosur ta dëgjojë, pas konsultimesh me grupet e interesit dhe biznesin, konstatoi se ishte plotësisht e mundur që importi i mbetjeve jeshile të riciklueshme të reduktohej në 25 artikuj të tillë, të cilët përdoreshin gjerësisht nga industria e riciklimit në Shqipëri, industri në të cilat janë investuar nga sektori privat vendas e të huaj mbi 400 milionë euro, nga letra te metalurgjia dhe ku janë punësuar mbi 3000 punonjës në vend”, tha zëdhënësja Erla Mëhilli.

Sipas saj, kjo industri në kapacitetet e saj të mëdha përpunuese ka jetike lëndën e parë, dhe sasitë e saj në vend janë të pamjaftueshme. “Duke theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij është parësor për qeverinë shqiptare pasi për konceptin e saj, mjedisi është jeta, qeveria është e vendosur të ruajë një dialog konstant me shoqërinë civile. Qeveria fton edhe njëherë organizatat jo qeveritare të fushës së mjedisit dhe shoqërinë civile, të japin kontributin dhe ndihmesën e tyre të pandërprerë në mbrojtjen e tij, sikundër ju bën thirrje të shmangin rënien në anti-globalizëm, i diskretituar tashmë si varianti i sotëm i marksizëm – leninizmit”, vijoi. /Start/

                                                                                             2012-09-02 14:31
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›