E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përjashtimi i 4 deputetëve nga Grupi Parlamentar, Berisha: Alibej, zbatues mjeran i urdhrave të Ramës

“Zbatues mjeran të urdhërave të Ramës”, e ka cilësuar kryetari i Partisë Dekokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, vendimin e Enkelejd Alibeajt për përjashtimin e 4 deputetëve nga Grupi Parlamentar. Në një prononcim për mediat, Berisha la të kuptonte se mbështet iniciativën e deputetit Ervin Salianjit për shkarkimin e Alibeajt nga kreu i Grupit Parlamentar.

“Zbatoi si mjeran një urdhër të Edi Ramës. I keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama për arsyet që i di vetë ai. Zbatoi një urdhër të Edi Ramës duke shkelmuar edhe më shumë mbi dinjitetin e tij.

Salianji për definicion është n/kryetar grupi, kështu që unë do të pranoj pa diskutim vullnetin e deputetëve të Partisë Demokratike. U ndala në detyrat e mëdha që kanë. Ju e morët vesh skandalin e fundit të Erjon Veliajt që hapte tendera për të fituar paratë vetë. Kjo nuk mund të imagjinohet. Hap tenderin për të marrë vetë paratë. Mos kujtoni se ky është rast i izoluar. Do mësoni shumë në të ardhmen për këtë person që nuk ka të ngopur në vjedhjen e taksave të qytetarëve shqiptarë. Ai ishte vetëm një episod unik. Ju garantoj se ajo Bashki noton në episode të tilla. Detyrat e opozitës janë shumë të mëdha sot, siç është qeveria është bashkia. Është një pushtet i kalbur, një pushtet që qëndron i tëri mbi vjedhjen, gënjeshtrën, mashtrimin. Për të mos thënë atë të famshmen Erisa Ferron, drejtoresha e AKSH-it, kush e di sa e ka paguar. Ajo s’ka të bëjë fare me informatikën. Është një njeri që ka qenë më shumë pa punë, ka shitur thonë rroba apo gjëra të tilla dhe na bëhet drejtoreshë tek AKSH-i e cila ka 253 afera korruptive me ligj. Ka bërë tendera sekrete. Është një vit që këta do të marrin përgjigjen përfundimtare”, tha Berisha.

Partia Demokratike ka përjashtuar zyrtarisht nga Grupi Parlamentar deputetët Tritan Shehun; Oerd Bylykbashin; Belind Këllicin dhe Agron Shehaj. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›