Përjashtimi i 4 deputetëve nga grupi, Alibeaj: E kuptoj hallin e atyre që sulmojnë, por unë përfaqësoj demokratët

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka folur për herë të parë lidhur me përjashtimin nga grupi të 4 deputetëve Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, Tritan Shehun si dhe Agron Shehajn. Alibeaj tha se është përfaqësues i demokratëve dhe është zgjedhur në këtë post që nga largimi i Lulzim Bashës.
Lidhur me sulmet ndaj tij se është i kapur nga Rama, Alibeaj tha se këto janë “lëvizje agresioni” që vijën nga “hallet e Berishës” dhe se është mësuar nga etiketimet e tyre. Ai shtoi se këto sulme nuk do e ndalojnë të jetë krah demokratëve që duan të shkëputen nga e kaluara 30-vjeçare.
“Gjej rastin të ndodhem mes demokratëve të Sarandës jo vetëm për të festuar por edhe për të diskutuar gjendjen dhe situatën politike së pari në Sarandë, sfidat që na presin, por edhe për zhvillimet lart në qendër. Unë jam drejtues i PD pas shkëputjes së Lulzim Bashës. Unë jam përfaqësues i gjithë atyre demokratëve që kanë vendosur të shkëputen nga periudha tridhjetë e ca vjeçare e politikës shqiptare. Unë e kuptoj fare mirë hallin e atyre që herë pas here bëjnë këto lëvizje agresioni. Eshtë hall i Sali Berishës dhe Edi Ramës. Jam mësuar tashmë me këto etiketime duke më venë në krah të Edi Ramës. Media e ka bërë publike se kush ka qenë bashkë me Edi Ramën. Ata që janë bashkë kanë arsye hallet e tyre personale”, tha Alibeaj.
Më herët Enkelejd Alibeaj ka njoftuar se ka përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi. Kjo solli përçarje edhe më të mëdha ku tashmë deputeti Ervin Salianji po mbledh firmat e kolegëve për shkakrimin e Alibeajt nga kreu i grupit të PD.
/rtsh.al/