Përjashtimi i Islamit, Meta: Veprim i pa pranueshëm pas 21 vitesh pluralizëm

Kastriot Islami: Më përjashtuan në 30 vjetorin e eleminimit të Mehmet Shehut
Të papranueshëm e ka konsideruar kryetari i LSI-së, Ilir Meta mundësinë e përjashtimit të Kastriot Islamit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. I pyetur nga mediat për këtë çështje, Meta tha se nuk mund të ketë përjashtime të tilla pas 21-vjetësh pluralizëm. Sipas Metës, Islami ka kontribut shumëvjeçar në Partinë Socialiste dhe në politikë dhe nuk ka bërë asnjë gabim. “Nuk besoj që Islami ka bërë ndonjë shkelje që të meritojë këtë vendim. Madje alternativën e tij politike e ka përqafuar vet lidershipi i PS-së. Nuk besoj se Islami do ti bashkohet LSI-së, megjithatë partia jonë ka statusin e saj për këdo që aderon të bëhet pjesë e saj”- u shpreh Meta. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS-së, kryetari Edi Rama propozoi përjashtimin e Kastriot Islamit nga grupi parlamentar. Pas qëndrimeve kritike dhe në kundërshtim me vendimet politike të grupit, Rama ka marrë shembull votimin e fundit në Kuvend, për kandidaturën e Bujar Leskajt për KLSH-në, ku Islami s’ka marrë pjesë dhe u ka shpjeguar anëtarëve të kryesisë se pikërisht për këtë veprim të pajustifikuar ai duhet të çregjistrohet. Kreu i LSI ka shprehur shqetësimin e tij edhe sa i përket komisionit të reformës zgjedhore dhe mënyrës se si po funksionon kjo tryezë. Megjithatë, shtoi Meta, “shpresojmë të kemi gjithëpërfshirje dhe konstruktivitet”. Para pak ditësh partitë e vogla të pranishme në tryezën e reformës zgjedhore janë shprehur të pakënaqura për mënyrën se si po funksionon kjo tryezë.
Kastriot Islami: Më përjashtuan në 30 vjetorin e eleminimit të Mehmet Shehut
Lajmi për përjashtimin e tij nga grupi socialist ka sjellë debate të forta në politikën shqiptare dhe reagimet nuk kanë munguar kryesisht në rrjetet sociale,ku edhe ka pasur komentet më të shumta. Megjithatë përtej këtyre debateve nga selia rozë ende nuk ka dalë asgjë zyrtare edhe pse një çështje e tillë në kryesi është diskutuar.
Vetë Islami fillimisht në internet e më pas edhe në linjë telefonike ka konfirmuar se nuk ka asnjë komunikim nga partia e tij, për një përjashtim të mundshëm. “Më përjashtuan me rastin e 30-vjetorit të eliminimit të Mehmet Shehut. 30 vite më parë Byroja i kërkoi Mehmetit të bënte autokritikë”- u shpreh Islami, ndërsa pak momente më pas, gjatë një komunikimi në Facebook, Islami shkruante: “Nga shumë gazetarë dhe nga faqe të medias pranë Ramës jam bërë me dije për ‘propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i PS’. Jam interesuar tek njëri nga drejtuesit e grupit kuvendor të PS-së dhe më rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje”- komenton Islami.
Nga ana tjetër edhe selia rozë zyrtarisht nuk ka komunikuar për median një lajm të tillë duke mos konfirmuar lajmin e dalë rrufeshëm në të gjitha mediat e vendit. As vetë kundërshtarët e përfolur në kryesi të përjashtimit të Islamit nuk kanë bërë komente rreth kësaj çështje duke pritur ndoshta edhe vendimin zyrtar të grupit socialist.
Një prej pjestarëve të ashtuquajturës “lëvizja për mendimin ndryshe” në selinë rozë, Andis Harasani pas daljes së lajmit është mjaftuar me një koment të shkurtër në Facebook: “Juda puthte bukur”, por pa zgjeruar më tej thënien e tij.
Megjithatë deri të hënën pritet të ketë diskutime të ndryshme rreth kësaj çështje për të ardhur tek qëndrimet zyrtare me fillimin e javës së re. Gjithsesi vetë Islami para se të hedhë hapin e tij në rrethanat e reja do të duhet të presë zyrtarisht vendimin e partisë së tij, nëse do të mbetet e tillë edhe në ditët e fundit të vitit.