E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Venecia konfirmoi praktikën e numërimit të votave të hedhura në kutinë e gabuar

17-12-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Komisionin e Venecias

“Konkluzioni i Komisionit të Venecias për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave”. Kështu u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj në sesionin e radhës të Komisionit të Venecias, ku u diskutua dhe u miratua opinioni i Komisionit për Shqipërinë. Me ftesë të Presidentit të Komisionit të Venecias, z. Xhani Bukikjo, kryeparlamentarja Topalli shoqërohej nga bashkëkryetarët e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, deputetët Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri. Në fjalën e saj znj.Topalli vlerësoi mbështetjen që Komisioni i Venecias i  ka dhënë Shqipërisë, gjatë këtyre 20 viteve. Ajo bëri një paraqitje të shkurtër të zhvillimeve më të fundit të reformës zgjedhore që ka ndërmarrë Kuvendi i Shqipërisë dhe i njohu anëtarët me ngritjen dhe fillimin e punës nga komisioni ad hoc i reformës zgjedhore. Duke u ndalur në opinionin e paraqitur nga ekspertët e Komisionit të Venecias Zonja Jozefina Topalli bashkë me vlerësimin e saj theksoi se ky opinion përbën një dokument ligjor profesional dhe autoritativ dhe shërben si plan pune në zbatimin e rekomandimeve për zgjedhjet. Në mënyrë të veçantë ajo vlerësoi përqasjen e bërë në këtë opinion lidhur me votat e hedhura jo në kutitë e duhura. “Konkluzioni i Komisionit të Venecias se e drejta e votës, si e drejtë e njeriut, mbizotëron dhe se legjislacioni  duhet të përmbajë procedura për përfshirjen në rezultat të votës së hedhur jo në kutinë e duhur, përbën një konfirmim të praktikës shqiptare të numërimit të këtyre votave. Institucionet në Shqipëri nuk gabuan kur vendosën t’i përfshijnë këto vota në rezultat dhe rasti  i Shqipërisë meriton të shënohet si një rast pozitiv i respektimit të vullnetit të zgjedhësve”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo theksoi se reforma zgjedhore nuk është një detyrë e lehtë, por Shqipëria është e vendosur ta bëjë atë duke e konsideruar suksesin si një gur milear në rrugëtimin e saj drejt BE. Nga ana e tij,
presidenti Bukikjo përshëndeti vlerësimet e bëra nga Kryetarja Jozefina Topalli, vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar më tej bashkëpunimin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›