E Diel, 1 Nëntor 2026

ATHINË – Marta Kos: Zhvillime pozitive për Shqipërinë dhe Malin e Zi drejt anëtarësimit në BE

ATHINË, 23 prill /ATSH-ANA/ – Zgjerimi i BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka arritur progresin që qeveria dëshironte, por ka një dinamikë të re, i tha sot kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos në Rezidencën Maximos.

“Unë besoj se është e drejtë të thuhet se, në përgjithësi, nuk kemi bërë progresin që do të kishim dëshiruar, por shohim një dinamikë të re. Natyrisht, çdo vend është i ndryshëm dhe çdo rast unik, por do të doja shumë të dëgjoja pikëpamjet tuaja se si po shkon procesi dhe çfarë mund të bëjmë për të kontribuar në mënyrë konstruktive dhe për të ndihmuar”, tha Mitsotakis, duke iu referuar pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

”Dy nga vendet e Ballkanit Perëndimor që aplikojnë për anëtarësim në BE janë fqinjë të drejtpërdrejtë me ne, ndërsa ne mbajmë lidhje të ngushta me të gjitha ato. Për këtë arsye, ne jemi fuqimisht të interesuar për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Evropë”, theksoi kryeministri grek, duke shtuar sigurinë e tij se “për këtë çështje, prioritetet tona janë absolutisht të përafruara”.

Komisionerja Kos tha se Greqia është një partnere shumë e rëndësishme sa herë që flitet për procesin e zgjerimit të BE-së, veçanërisht përpara gjysmës së dytë të vitit 2027, në të cilën Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit të BE-së.

”Në Athinë, me kryeministrin Mitsotakis, diskutuam zhvillimet e fundit pozitive në Mal të Zi, Shqipëri, Ukrainë dhe Moldavi si dhe rrugën më të gjerë të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor”, tha ajo në X.

”Qeveria greke është shumë e angazhuar në procesin e zgjerimit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, dhe do të luajë një rol kyç në shtyrjen përpara të progresit gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së, në një moment të rëndësishëm vitin e ardhshëm. Diskutuam gjithashtu për hapa të mundshëm për të vazhduar ndërtimin e besimit mes Turqisë dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht Qipros”, u shpreh ajo pas takimit me kryeministrin Mitsotakis./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›