E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjetësimi i piramidës dhe vilës së diktatorit, shqetësimi i parë qeverisës i nipit të Kolekës

27-08-2013 / Gazeta 55

Krahas lançimit të projekteve për betonizimin e bregdetit, konferenca me urbanistë dhe arkitektë doli dje më një tjetër përfundim; përjetësimin e piramidës dhe vilës së diktatorit. Shqetësimi parësor i Ramës në qeverisjen e pas shtatorit është dhe mbetet mbrojtja e mauzoleumit dhe kthimi në vend pelegrinazhi të vilës së diktatorit


I gjithë yryshi për të rreshtuar në një tryezë të rrumbullakët të ashtuquajtur urbanistë dhe arkitektë nga vende të ndryshme të botës, në vetvete s’është gjë tjetër veçse një përpjekje për të bërë ca punë sipas interesit të organizatorit të konferencës “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, Edi Rama. Kjo konferencë doli dje me një përfundim befasues; piramida, ose mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha dhe vila e tij në bllok të shërbejnë si vende për performanca dhe leksione. Dy objektet, përmes të cilave tentohet të mbahet i përjetësuar diktatori më i egër që ka njohur ndonjëherë bota pas Luftës së Dytë Botërore në vlerësimin e ekspertëve dhe porosidhënësit të tyre, Edi Rama duhet të mbeten objekte pelegrinazhi. Kuptohet se shqetësimi kryesor i pinjollit të nomeklaturës paskan qenë dy objektet përmes të cilave ushtrohet edhe sot e kësaj dite terror psikologjik mbi shqiptarët. Teksa i ka mbetur ora tek paraardhësit e tij të bllokut, nipi i Spiro Kolekës e ka të pamundur të çlirohet nga kjo sindromë e rrezikshme që në vetvete s’është gjë tjetër veçse një përpjekje tinëzare për t’i bërë avokatinë krimeve të diktaturës. Sigurisht, atë që ka bërë në vazhdimësi gjatë gjithë këtyre viteve të ekzistencës së tij në politikë. S’ka denjuar qoftë edhe për një moment të vetëm të kërkojë ndjesë për krimet çnjerëzore të etërve të tij, sikurse ka fyer dhe poshtëruar viktimat e komunizmit. I gjithë halli i tij, si fillim paska qenë piramida dhe vila e diktatorit, me të cilat do tentohet të zëvendësohen objektet e kultit apo ato kulturore. Rama kërkon t’i shndërrojë dy objektet e terrorit të diktaturës si destinacione turistike dhe jo vetëm dhe kësisoj këto dy ndërtesa humbasin emrin e vërtetë të tyre si përjetësime të diktatorit dhe do të shihen më tepër si objekte për vizitorët. Ky është qëllimi parësor i kreut të PS. Mbrojtja e krimeve të Enver Hoxhës dhe përjetësimi në piedestal i figurës së diktatorit më të egër që ka njohur bota ndonjëherë. Sikurse, kjo konferencë dy ditore ka në axhendë edhe të tjera funksione deklarative për mbështetjen e projekteve të Ramës në zaptimin e pronave të bregdetit dhe ndërtimin atje të bizneseve të PS. Deklarata e konferencës: Ja çfarë duhet të bëni me Piramidën dhe vilën e Hoxhës/Arkitektët e huaj japin ide interesante ne lidhje se çfarë duhet të bëjë Shqipëria me simbolet dhe monumentet e trashëguara nga periudha e komunizmit. Një debat që kohët e fundit ka pasur mendime të ndryshme. “Nuk është e nevojshme të fshihet e kaluara kulturore, por të rinovohen vlerat kulturore. Piramida për vizitorët që vijnë në Tiranë është ndër pikat kryesore. Ajo jashtë ka vlera, por brenda është e pasuksesshme. Ne sugjerojmë që të përfundohet pjesa e jashtme dhe te kthehet në një zonë ku mund të rrëshqasin fëmijët dhe pjesa e brendshme të hapet dhe te bëhet një, ku mund të ketë performanca dhe leksione”, u shpreh arkitekti. Sa i takon vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha”, të huajt kanë këtë mendim: “ Ne menduam si eksperiment politik mund te kthehet ku inovatorët ose filozofët e ardhshëm të bënin studim tre mujor me idenë e dhënies së ideve specifike”. Më shumë se 50 arkitektë, planifikues urbanë dhe ekonomistë nga e gjithë bota, morën sot pjesë në Konferencën me teme “Shqipëria e Gjeneratës tjetër”, e organizuar nga Partia Socialiste në datat 26 dhe 27 gusht në ambiente e Hotel Sheraton në Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›