Përkeqësimi i situatës nga dhuna, Kanadaja do të vendosë anije të marinës në Haiti

Kanadaja do të dërgojë anije të marinës në Haiti për të mbledhur informacione, si pjesë e përpjekjeve për të shuar dhunën e bandave që është përshkallëzuar në vendin e Karaibeve. Kjo u bë e ditur nga kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Trudeau e bëri njoftimin në Bahamas gjatë një takim vjetor të liderëve të Karaibeve, ku temë kryesore ka qenë rritja e numrit të vrasjeve, përdhunimeve dhe rrëmbimeve në Haiti, gjë për të cilën fajësohen bandat që morën zemër nga vrasja e presidentit, Jovenel Moïse, në korrik 2021.
Kryeministri Haitian Ariel Henri, i pranishëm në takim, është lutur për një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare për të frenuar kaosin.
Vendi i tij kërkoi ndihmë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në tetor dhe ka sugjeruar që SHBA dhe Kanada të udhëheqin një forcë shumëkombëshe.
Asnjë ndërhyrje e tillë nuk është parashikuar deri tani dhe asnjë vend nuk është ofruar që të marrë drejtimin.
Lëvizja e Kanadasë për të dërguar anije, e njoftuar në takimin e liderëve të bllokut tregtar 15 anëtarësh Caricom, vjen menjëherë pas kthimit të një prej avionëve të saj vëzhgues me një mision të ngjashëm për të mbledhur informacione për policinë Haitiane.
“Tani për tani, Haiti po përballet me dhunën e pandërprerë të bandave, trazirat politike dhe korrupsionin”,- tha Trudeau. “Tani është momenti që të bashkohemi për të përballuar ashpërsinë e kësaj situate.”
Trudeau tha se Kanadaja dhe fqinjët e Haitit duhet të punojnë për zgjidhje afatgjata për të rivendosur rendin dhe sigurinë, dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Udhëheqësi kanadez njoftoi gjithashtu se qeveria e tij do të japë 12.3 milionë dollarë shtesë në ndihmë humanitare dhe 10 milionë dollarë për të mbështetur Zyrën Ndërkombëtare për Migracionin, për të mbrojtur gratë dhe fëmijët në Haiti përgjatë kufirit të Haitit me Republikën Domenikane.
“Vuajtjeve njerëzore në Haiti rëndojnë shumë mbi mua,”- tha Trudeau.
Më herët të enjten, Trudeau u takua pas dyerve të mbyllura me Henry-n, i cili u tha gazetarëve se dëshiron urgjentisht që Haiti të mbajë zgjedhje pavarësisht nga përkeqësimit të situatës.
Numri i vrasjeve të raportuara në Haiti vitin e kaluar u rrit me 35% në 2,183 viktima, ndërsa numri i rrëmbimeve të raportuara u dyfishua në 1,359 viktima, sipas OKB-së.
Një raport muajin e kaluar nga Zyra e Integruar e OKB-së në Haiti vuri në dukje se “dhuna e lidhur me bandat arriti nivele të papara në dekada” dhe se dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur nga bandat ndërluftuese.
Kanadaja, SHBA dhe vende të tjera tashmë kanë ofruar pajisje ushtarake dhe burime të tjera, së bashku me trajnimin, për Policinë Kombëtare të Haitit, e cila ka vetëm 9,700 oficerë aktivë për një vend me më shumë se 11 milionë banorë. Bandat kontrollojnë rreth 60% të kryeqytetit të Port-au-Prince. Apnews
/rtsh.al/