Përkeqësohet situata nga zjarri në Ungrej të Lezhës, rrezikohen banesa

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ Situata e zjarrit në Ungrej të Lezhës është përkeqësuar pasditen e sotme, ndërsa era e fortë dhe bimësia e dendur kanë favorizuar përhapjen e flakëve.
Zjarri po përparon në drejtim të zonave të banuara, duke rrezikuar fshatrat Rras dhe Zimaj.
Forcat zjarrfikëse, efektivët e ushtrisë dhe strukturat e emergjencave ndodhen në terren dhe po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa terreni i thyer dhe i vështirë ka penguar ndërhyrjen nga toka, duke e bërë më të vështirë përballimin e situatës, raportojnë mediet.
Për shkak të erës së fortë, një vatër e madhe zjarri përfshiu zonën pyjore në fshatin Rras, duke rrezikuar seriozisht varrezat dhe kishën e fshatit.
Sipas forcave zjarrfikëse, zjarri pranë varrezave është vënë nën kontroll, duke larguar për momentin rrezikun për këtë zonë.
Tashmë, ndërhyrja është përqendruar pranë kishës, ku forcat zjarrfikëse po punojnë për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Prej katër ditësh, disa mjete dhe forca zjarrfikëse të Bashkisë Lezhë janë angazhuar në luftën me flakët në Kashnjet. Situata është përkeqësuar gjatë ditëve të fundit, e favorizuar edhe nga era dhe terreni i vështirë, që e bëjnë ndërhyrjen më të komplikuar.