Situata e zjarreve, efektivët e Forcës Tokësore ndërhyrje në Pukë, Mat dhe Shkodër

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Efektivët e Forcës Tokësore po vijon angazhimin në operacionet për shuarjen e zjarreve në zona të ndryshme të vendit, në mbështetje të komuniteteve dhe për përballimin e situatave emergjente.
Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut është angazhuar në operacionin për shuarjen e zjarrit në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë, në fshatin Lundër bashkia Mat dhe në Mnelë bashkia Shkodër.
Ndërsa batalioni i Këmbësorisë së Lehtë po kontribuon në operacionet e emergjencave civile në Bardhaj dhe Mnelë, Shkodër, duke mbështetur përpjekjet për përballimin dhe menaxhimin e situatës në terren.
Ministria e Mbrojtjes shprehu sot mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë efektivët e Forcës Tokësore, të cilët, me përkushtim, profesionalizëm dhe gatishmëri, përballen me situatat e vështira dhe qëndrojnë pranë komuniteteve në çdo moment.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri.
“Shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre dhe njoftoni menjëherë strukturat përkatëse për çdo situatë të dyshimtë apo rrezik të mundshëm. Forca Tokësore qëndron pranë qytetarëve, në shërbim dhe në mbrojtje të vendit”, thuhet në njoftim.
1 nga 10/m.m/r.e/