E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria prek fëmijët

Një nga dy fëmijët e të gjitha komuniteteve në Kosovë, jetojnë në kushte të vështira sociale, apo jetën e fillojnë në varfëri.
Këto të dhëna dalin nga një raport i Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).

Johanes Vedening, shef i këtij fondi, thotë se familjet e këtyre fëmijëve nuk kanë mundësi për t’u siguruar ushqim cilësor për moshën e tyre.
“Nëse merret parasysh vija absolute, një nga dy fëmijë jetojnë në varfëri, që do të thotë në një ambient me 1.42 euro në ditë. Në familjet që jetojnë në varfëri ekstreme, që shpenzojnë më pak se një euro në ditë, çdo i pesti fëmijë jeton në kushte të vështira”, shpjegon Vedening.

Vedening thotë se për të kuptuar varfërinë e fëmijëve nuk mjafton të shqyrtohen të dhënat e varfërisë absolute, por duhet të analizohen në mënyrë specifike vetëm të dhënat e varfërisë së fëmijëve. Në lidhje me këtë, ai tregon disa nga qytetet në Kosovë, ku fëmijët kanë kushte më të vështira.
“Ajo që ne kemi vënë re, është se nëse lind në një familje e cila ka katër e më shumë fëmijë, gjasat janë më të mëdha të jesh fëmijë i varfër”, thotë ai.
Raporti ka nxjerrë se po të ishe fëmijë në një familje që jeton në Ferizaj dhe Mitrovicë, do të jetoje në një familje, pjesëtarët e së cilës janë të papunë ose punojnë herë pas here. Vedening thotë se varfëria te fëmijët ndikon në jetën normale të tyre dhe ka efekte negative edhe në zhvillimin e përgjithshëm në të ardhmen.

Edhe në institucionin e Avokatit të Popullit, pohojnë se shumë fëmijë në Kosovë jetojnë në varfëri.

Igballe Rrahmani, nga Grupi për të Drejtat e Fëmijëve në këtë institucion, thotë se ka shumë ankesa të prindërve për kushtet e rënda, në të cilat jetojnë dhe që nuk kanë mundësi për t’i siguruar gjërat elementare për fëmijët e tyre.

“Prindërit ankohen, kërkojnë ndihmë që të bëhet strehimi i tyre, ngase nuk kanë strehim dhe jetojnë në kushte të rënda. Ata shpesh vijnë dhe ankohen se kanë fëmijë me nevoja të veçanta”.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se për të zbutur sadopak këtë gjendje, mbi 35 mijë familje kosovare, me mbi 155 mijë anëtarë, marrin asistencë sociale, nga 40 deri në 80 euro në muaj, ndërkaq 60 për qind prej tyre janë fëmijë.

Muhamet Gjocaj nga kjo ministri sqaron se kusht kryesor për ta gëzuar këtë ndihmë, është që familja të ketë fëmijë nën moshën 5 vjeç.

“Ne e kemi bërë këtë kriter dallues që mund ta realizojnë vetëm ata që kanë fëmijë të vegjël nën moshën 5-vjeçare. Janë rreth 80 mijë fëmijë në këto familje me asistencë sociale”.

Gjithashtu, ai thotë se janë edhe 615 fëmijë, për të cilët paguhet strehim familjar te të afërmit e tyre, që kanë mbetur, si pasojë e luftës apo rrethanave të ndryshme, pa të dy prindërit. Raporti tregon se varfëria te fëmijët është arsyeja kryesore që shumë nga ta janë të detyruar të punojnë punë nga me të ndryshmet, duke rrezikuar mirëqenien e tyre.
(REL)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›