E Enjte, 5 Nëntor 2026

Përkrahës të Berishës shkojnë në selinë e PD, dyert vazhdojnë të jenë të mbyllura

Përkrahës të ish kreut të PD Sali Berisha, përfaqësues të Komisionit të Rithemelimit të PD, kanë mbërritur sërish këtë të premte në selinë e PD, por e kanë gjetur atë sërish të blinduar dhe të izoluar.

“Kjo është situata sot në PD. Kemi tentuar dhe dje e pardje deputetë, anëtarë të Grupit të Rithemelimit, por selia është e mbyllur. Është rast unikal që partia mbyll dyert e mbështetësit e vet. Flitet për të ardhmen, por kjo është ardhmja që ofron PD sot. Është një parti pa vizion, ndaj është i nevojshëm rithemelimi. Nesër demokratët nga e gjithë Shqipëria do të ekzekutojnë vendimin”, tha anëtari i Këshillit Kombëtar, Ervin Minarolli.

Nga ana tjetër, sekretari i FRPD, Grigels Muçollari, tha se s’ka pasur transparencë ne emrat e lexuar për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor, Kuvend ky i thërritur me vendim kryesie. Sipas tij, një pjesë e emrave të lexuar janë persona që nuk ekzistojnë, e një pjesë tjetër, persona që nuk janë anëtar të PD.

“Do të doja t’ju vendosja në dijeni, që këta janë një grup njerëzish që kanë uzurpuar partinë. Deputeti Bardhi ka mashtruar opinionin publik dhe ato pak demokratë që e mbështesin. Bardhi ka lexuar mbi 4200 emra që kanë qenë të pranishëm në anti-Kuvendin që kanë lexuar. Delegatët që ka lexuar zoti Bardhi kanë qenë mbi 2 mijë, ndërsa shumica s’kanë qenë aty. Zoti Bardhi ka lexuar emrat nga 2 herë, e tre herë për të falsifikuar të dhënat.Rreth 381 emra i kanë sajuar në mënyrë të qëllimshme. Këta emra s’janë realë. Mbi 1600 janë shtuar në mënyrë artificiale, e s’janë pjesë e PD. Këta rezultojnë se janë njerëz të shpikur. Kjo është situata sot, ky është deputeti Bardhi që ka mashtruar ato pak deputetë që e mbështesin”, u shpreh Muçollari. 

Ditët e fundit në godinën e PD-së kanë qenë deputeti Flamur Noka, Aldo Bumçi, anëtarë të tjerë të Grupit për Rithemelimin e PD-së dhe të rinj të FRPD-së. Ata janë përpjekur që të hapin dyert, por ka qenë e pamundur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›