Përkthyesja franceze e At Zefit: Ishte mishërimi i një heroi shqiptar
Një nga referuesit që tërhoqi vëmendjen në konferencën për At Zef Pllumin ishte edhe përkthyesja franceze e librit të tij “Rrno për me tregue”, Odile Daniel. “E lexova me një frymë dhe vendosa ta përkthej librin menjëherë pasi e përfundova”, tha ajo për të pranishmit. Dhe më tej “në këtë rast vërejta se kisha para meje jo vetëm një të shpëtuar nga gulagu, kurajën e të cilit e admirova, por një shqiptar të pasur me vlerat themelore të shoqërisë shqiptare, vlera me të cilat isha njohur gjatë studimeve të mia për albanologji. At Zefi nuk kërkoi të lëvdonte veten, por të dëshmonte duke vënë në zbatim fjalët e superiorit At Martin Sirdarit në kapitullin ‘Në gërmadhat e Kishës’ kur ai i tha: Rrno vetëm për me tregue. Kështu At Zefi e konsideroi si detyrë të kallëzonte vitet e gjakut dhe tmerrit të cilat i përballoi me një guxim të paepur”. Po sipas përkthyeses, libri i At Zefit nuk kufizohet vetëm në kallëzimin dhe dënimin e komunizmit. Sipas saj libri ka interes të madh të njohjen e historisë së Shqipërisë dhe për kulturën e saj, veçanërisht për lexuesin francez. Në përfundim zonja Daniel tha se vlerësoi veprën dhe qenien e At Zefit si të ushqyera me vlerat e besimit, të qëndresës dhe të një kulture të gjerë të cilat u injektojnë, u japin brezave shpresë për të ardhmen, si dhe forcë për të përballuar sfidat e shoqërisë moderne.