E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ju rrëfej At Zefin, që na shëroi plagët ne ‘burgaxhinjve”

 

Ferdinand Dervishi

Gëzim Peshkëpia, një emigrant i hershëm në Gjermani, e mori fjalën të fliste për At Zef Pllumin, aty nga fundi i konferencës. Dhe ja doli mbanë të tërhiqte vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve, madje t’i përlotte, teksa rrëfeu copëza të jetës së klerikut të madh, që të gjitha përjetime personale, pjesë të kujtimeve të tij në kohë të ndryshme. Vitet e errëta të diktaturës dy njerëzit e dënuar, sepse mendonin ndryshe i kishte bashkuar në një biçim burgu a kampi pune në Ballsh. Aty ishin njohur, aty Gëzimi kishte vlerësuar, përtej limiteve të respektit ndaj çdo qenieje tjetër njerëzore, klerikun e madh dhe më tej lidhja mes dy burrave ishte ngjizur për t’u mbajtur e shenjtë përgjithmonë, deri në ditët e fundit të At Zef Pllumit. Ja rrëfimi i Gëzim Peshkëpisë për mikun e tij në kohë të vështira.
Zoti Peshkëpia, mund të na rrëfeni përshtypjet e para pasi njohët në burg At Zef Pllumin?
Jemi njohur në burgun e Ballshit. Unë isha dënuar me shtatë vjet, nga viti 1976 në 1982. Akuza ishte ajo standardja, agjitacion e propagandë. Në këtë kamp pune njoha At Zef Pllumin. Unë isha mysliman, por kjo atij nuk i bënte aspak përshtypje, përkundrazi. Bashkë na njohu Patër Aleks Baçli, dhe marrëdhëniet tona edhe pse veç të tjerave i përkisnim brezave të ndryshëm të moshës, ishin shumë miqësore. E kujtoj teksa riparonte librat e bibliotekës në një si tip qilari, një punë që e bënte me shumë dëshirë dhe saktësi të habitshme. Por më shumë do e kujtoj për qetësinë e tij shpirtërore, një veti që na ngrinte moralin edhe ne të tjerëve. Sepse At Zef Pllumit me gjithë errësirën që premtonte e ardhmja, rrezatonte vetëm optimizëm. Tani e kam kuptuar më mirë se ai më shumë se ne të tjerët e kuptonte, se gjithçka është e përkohshme se edhe komunizmi një ditë, të afërt madje, do të shkulet, do lirojë shpirtrat e njerëzve. Sepse sipas tij, asgjë nuk është e përgjithmonshme, filluar nga një sistem politik e shoqëror në pamje të parë shumë të konsoliduar. Fjala e tij ishte si melhem për të gjithë ne. Sikur të ishim fëmijë dhe të kishin babanë pranë dhe të na qetësonte.
Përmendët një moment interesant të sjelljes së At Zefit, pasi doli nga burgu. Mund të na e rithoni?
Po. Ditën që doli nga burgu At Zefin e prita në shtëpinë time. Ka qenë para zhvillimeve demokratike të 1990-ës. Pra, diktatura ishte ende shumë e fortë dhe feja ende e ndaluar. Të nesërmen, kur e përcolla e pyeta se ku do të shkonte. Për habinë time të madhe mu përgjigj krejt i qetë se do të shkonte të ngrinte kishën. I tillë ishte, nuk lëvizte nga e tija. Dhe sikur ta parandiente, komunizmi u shemb dhe At Zefi mbajti mbase të parën meshë të kohës së re në Tiranë.
Përmendët bibliotekën, domethënë juve ju lidhte edhe leximi, apo letërsia?
Po, por më tepër na lidhte ndarja e mendimeve për tema të ndryshme. Mund të them se në këtë tematikë unë ndihesha si nxënësi i tij. Preferonte letërsinë klasike ndaj asaj bashkëkohore dhe ishte njohës i mirë i autorëve më të mirë grekë e romakë, ndërsa kur dilte te Fishta ishte thjesht i pakrahasueshëm.
Rrëfyet në sallë një histori të At Zef Pllumit në Gjermani, së cilës i kushtuan rëndësi edhe mediat. Mund të na e tregoni më hollësisht?
Po, ka ndodhur në vitin 1993, në Soest të Gjermanisë. Patër Zefi mbajti një referat mbi historinë e kalvarin e klerit katolik shqiptar nën regjimin komunist. Në sallën blu të bashkisë së qytetit ai u ngjit në podium për të rrëqethur auditorin me dëshmitë e tij. Pata nderin ta lexoj në gjermanisht përkrah tij këtë fjalim të përkthyer mjeshtërisht nga i madhi Robert Shvarc. Efekti qe i jashtëzakonshëm. Dhjetëra grave u rridhnin lot nga sytë prej dëshmisë së At Zefit. Pasi mbaroi të gjithë e rrethuan me dashuri. Mediat lokale dhe ato të Landit i bënë jehonë përgjigjeve jo të zakonta të një kleriku nga Shqipëria, të dhëna në një konferencë për shtyp një ditë më pas.
Kur e keni takuar për herë të fundit At Zefin?
Një vit më parë, pak kohë para se të vdiste. E kujtoj se si na përqafoi të gjithëve ndenjur në poltronën e tij. I tha djalit tim të vogël: Marin, më ndihmo të ngrihem, se me qëndrue dij, e sa me rrëshqit poshtë asht kollaj fare... Kur pa tim bir të habitur, pasi nuk e kuptonte domethënien e këtyre fjalëve At Zefi shtoi: Hajt, se po ta difton baba se çfarë don me thanë. Herën e fundit u ndamë me të po në Kuvendin Françeskan. Ma shtrëngoi fort dorën dhe nuk ma lëshoi gjatë gjithë bisedës. Mes të tjerash me zë të këputur më tha: Gëzim, mu sosën ditët... Ashtu edhe ndodhi. Me një qartësi të habitshme më shkroi mbi librin e tij të fundit dedikimin: Mikut tim të zemrës. Daton 30 korrik 2007, më pak se një muaj nga vdekja që e mori më 26 shtator së të njëjtit vit.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›