E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”


TIRANË, 21 janar/ATSH/ Sot shënohen 14 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ai i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestuesit.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se drejtësia do të vihet në vend dhe se askush nuk mund ti shpëtojë asaj.

“14 vite kanë kaluar nga ajo ditë e zezë, kur shteti u kthye në vrasës të popullit, në mes të ditës. Ishte si sot, ftohtë e shi dhe ne ishim të gjithë aty, në bulevard duke protestuar kundër vjedhjes të të gjitha formave, por mbi të gjitha të lirisë. Ishim të gjithë, ashtu si dhe sot.
21 janari nuk harrohet. Drejtësia e munguar peshon akoma më rëndë në dhimbjen e familjarëve të Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit, por edhe çdo shqiptari, dëshmitar të atij krimi shtetëror që mori jetë të pafajshme. Drejtësia do të vihet në vend ! Askush nuk është i paprekshëm nga ligji!”, u shpreh ajo.

Gjatë protestës u vranë Akeks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

1 nga 14

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›