Përkujtohet 11 vjetori i vdekjes së Azem Hajdarit, mungon Berisha
TIRANË- Është përkujtuar sot në Tiranë, 11 vjetori i vdekjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. Kryeministri Sali Berisha nuk ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore që u zhvillua pranë lapidarit të tij, përballë selisë së PD-së.
Figura të tjera të PD-së, si Topalli dhe Bode kanë vlerësuar lart figurën e "Pishtarit të demokracisë', Hajdari, duke u shprehur se ai ishte model i guximit për demokracinë. Ende nuk është dhënë asgjë zyrtare, mbi angazhimet e Kryeministrit që penguan pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni.
Më 12 shtator 1998, është qëlluar me armë zjarri deputeti dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Për vrasjen e tij dhe të shoqëruesit Besim Çerja janë akuzuar dhe dënuar nga gjykata Jaho Salihi me burgim të përjetshëm dhe Izet e Ismet Haxhia me nga 25 vite burg.