Mallra kontrabandë nga Greqia, tre në pranga
Dy shoferët e autobusit dhe porositësi i mallit janë arrestuar dje. Policia bllokon 120 mijë euro veshje kontrabandë
TIRANË- Arrestohet një tregtar dhe dy shoferë të një agjencie udhëtimesh, të akuzuar për transport të mallrave kontrabandë për t'iu shmangur detyrimeve doganore.
Policia ka sekuestruar edhe një sasi malli kontrabandë që kapte vlerën e 120 mijë eurove. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, operacioni policor i koduar "Udhëtari", ka çuar në pranga shtetasit Pëllumb Shelqezi, 36 vjeç dhe Romeo Karafili, 44 vjeç, të dy shoferë të një agjencie udhëtimi në Tiranë. Gjithashtu gjatë operacionit realizuar nga Antikrimi Ekonomik i Policisë së Tiranës dhe strukturat e hetimit tatimor u prangos dhe tregtari Shkëlqim Sadiku, 36 vjeç.
Ai dyshohet të jetë njëri nga porositësit e mallit nga Greqia. Sipas të dhënave të policisë, dy shoferët Shëlqezi dhe Karafili, punonin si shoferë në autobusin e linjës Tiranë- Athinë-Tiranë, ndërsa blutë e kryeqytetit kishin siguruar informacion se në autobusin e agjencisë ku këto ishin punësuar ishte e fshehur një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë, kryesisht rroba.
Dy shoferët u arrestuan dje në flagrancë në rrugën "Jordan Misja", në një parkim autobusësh pranë vendit të quajtur "Nyja e Betonit", në momentet që po kalonin mallin kontrabandë nga autobusi tek një automjet tjetër me targa të huaja, tip "Opel Vektra", me targa "IHT 4344", i cili drejtohej nga Shkëlqim Sadiku.
"Për këta shtetas kishte informacione se sillnin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit Kufitar Kakavijë, mallra industriale, si pantallona xhinse, këmisha, jelek xhinsi, xhaketa të ndryshme dhe bluza të llojeve të ndryshme, të cilat i kalonin të fshehura në autobus me qëllim shmangien nga detyrimet doganore"- u shprehen dje për gazetën "Shekulli", burimet zyrtare të policisë.
Në momentin e arrestimit, tre personat po shkarkonin mallrat që i kishin marrë në Greqi për qëllime tregtie, nga autobusi i agjencisë së udhëtimit me targa "TR 7215 L", mallra që dyshohet se ishin porositur nga dy tregtarë në kryeqytet.
Pas arrestimet të dy shoferëve dhe tregtarit, blutë e kryeqytetit kanë ushtruar kontroll dhe në subjektet e tregtarëve porositës ku kanë arritur të sekuestrojnë mallra pa faturë tatimore si: 3800 pantallona xhinse, 450 bluza dhe këmisha të markave të ndryshme, si dhe mallra të tjerë që përdoren për veshje. Ndërkohë strukturat e hetimit të Antikrimit Ekonomik kanë nisur hetimet, nëse ka persona të tjerë të përfshirë në kalimin e mallrave kontrabanda nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Tre të arrestuarit e djeshëm akuzohen për "tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë" dhe për " kontrabandë me mallra të tjerë".