Përkujtohet Havzi Nela - MTKRS “in memoriam” për poetin disident
Visar Zhiti: Komunistët organizuan njerëzit që të shikonin varjen e poetit
Fakti/Kristaq Rama firmosi varjen në litar të Havzi Nelës, Edi Rama ende nuk ka kërkuar falje publike
Permes një ceremonie të veçantë ku merrnin pjesë miq,familjarë dhe të afërm, është përkujtuar 25- vjetori i varjes në litar i poetit kuksian, Havzi Nela. Ceremonia u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Kulturës dhe filloi me një minutë heshtje në nderim të figurës së shkrimtarit, i cili u flijua për hir të idealeve të tij. Ministri i Kulturës, Visar Zhiti, një dëshmitarë okular i ekzekutimit makabër bërë nga sistemi komunist, e kujton atë ditë me detaje. “E varën pas mesnate, 25 vjet si sot, në orën 2 të natës. E lanë të varur. Organizuan njerëzit të shikonin, ata hunj, ata trekëndësha të shtrembër, të shikonin emrin e tij të shkuar me emra blu dhe armik me të zezë, partia dhe varja me të kuqe. Kjo ishte lemerisje, ky ishte teatri, kjo ishte kultura e saj kohe”, deklaroi ministri Visar Zhiti. Në fakt, 10 gushti është dita kur në Kukës u krye ekzekutimi me varje e disidentit Havzi Nela, nga sistemi komunist. Sot 25 vite më pas, ndonëse ishte vendosur që të ngrihej një bust në nder të kujtimit të tij, asnjë gjurmë nuk duket prej një megaprojekti që nuk u zbatua kurrë. Në këtë shesh duhej të ishte vendosur busti i të ndjerit, por burokracitë dhe harresa e institucioneve kanë bërë që ky fakt të harrohet në sytë e pushtetarëve, por jo në sytë e familjarëve të të ndjerit. Bashkia e Kuksi thotë se çështja është në duart e Ministrisë së Kulturës, e cila duhej të kishte prodhuar dhe vendosur bustin, por një gjë e tillë deri tani nuk është realizuar. Madje, asnjë përpjekje nuk është bërë për ta çuar çështjen deri në fund. Kreu i Bashkisë thotë se institucioni që drejton ka përcaktuar sheshin ku busti mund të vendoset. Havzi Nela,pasi kaloi dhjetëra vite burg ne kampet famëkeqe te asaj periudhe,u ekzekutua nga diktatura komuniste më 10 gusht të vitit 1988 në qytetin e Kukësit me akuza politike. Persekutimi i tij nisi në vitin 1967 kur, si një mësues i ri dhe poet i talentuar, kundërshtoi kolektivizimin, ndalimin e besimit fetar dhe ndërrimin e veshjeve për gratë e fshatit.
Kristaq Rama firmosi varjen në litar të Havzi Nelës, Edi Rama ende nuk kërkon falje publike/“Armik i betuar i pushtetit popullor”. Ky është motivi i vetëm që Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendimin nr.85, datë 16 korrik 1988 ka vendosur të dërgojë në litar poetin Havzi Nela i dënuar për herë të fundit nga regjimi komunist. Vendimi me formë të prerë i Gjykatës së Lartë, i është dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor për vendimin përfundimtar, anëtarët e së cilit duke mos qenë të mbledhur të gjithë, kanë firmosur vendimin për ekzekutimin me varje në litar të poetit. Për ata që kanë harruar po kujtojmë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ishte një organ kolegjial që luante rolin e kryetarit të shtetit. Ai dilte nga gjiri i Kuvendit Popullor (deputetët), përbëhej nga 15 anëtarë, nga të cilët 3 nënkryetarë dhe një sekretar. Ky vendim nuk ka votat e shumicës, por është firmosur vetëm nga disa anëtarë të tij si dhe nga vota me telefon e anëtares Emine Guri e cila është shprehur dakord. Të tjerët kanë firmosur. Disa nuk kanë qenë. Nga ata që kanë nënshkruar janë: Rita Marko (nënkryetar), Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Kristaq Rama, Lumturi Rexha dhe Rahman Hanku. Ky vendim që nuk ka marrë shumicën ka çuar në litar poetin Nela. Kristaq Rama, deputet i Durrësit prej shumë vitesh, në vitet 1987 – 1991 ishte edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Votimet e tij, në Presidium janë edhe në vendime të tjera për çështje të tilla. Poeti Havzi Nela mori një dënim maksimal për fajin e vetëm, se në vargjet e tij kërkonte të drejtat e njeriut. Më 9 gusht 1988, familjarët e Havzi Nelës kërkonin faljen e jetës dhe anulimin e vendimit për ekzekutim me varje të të afërmit të tij, por Presidiumi i Kuvendit Popullor, pjesë e së cilit ishte edhe Kristaq Rama nuk e pranoi. Disa herë, familjarët dhe shtresa e të përndjekurve politikë kanë kërkuar pendesën e djalit të atij që firmosi dënimin me vdekje të Havzi Nelës, por Edi Rama edhe sot e kësaj dite nuk pranon të kërkojë ndjesë për krimin e të atit të tij.