Përkujtohet masakra e Mejës në Gjakovë, 1750 të zhdukur në 14 vite
Kosovë- 27 prilli është shënuar si dita kombëtare e të zhdukurve në kujtim të ngjarjeve të prillit të vitit 1999 kur qindra shqiptarë u vranë në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, gjatë luftës në Kosovë. Kanë kaluar 14 vite dhe fati i 1750 personave të zhdukur nuk dihet ende. Kjo vrasje cilësohet si vrasja më e madhe masive gjatë gjithë luftës së Kosovës.
Sipas gazetës Bota sot , mbrëmjen e të premtes në qendër të Prishtinës janë ndezur 1 mijë e 750 qirinj, të mbuluar me nga një pikëpyetje. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut shënoi 27 prillin si ditën kombëtare të personave të zhdukur në Kosovë.
Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ka njoftuar gjatë kësaj jave se prokurorët e këtij misioni kanë filluar hetimet për të gjitha krimet e luftës që janë kryer në komunën e Gjakovës gjatë 27 dhe 28 prillit të vitit 1999.
Sipas Bota sot në njoftim thuhet : prokurorët kanë identifikuar afërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për krime të luftës kundër popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 vetave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake.
Një pjesë e madhe e trupave të viktimave të ngjarjes në Mejë ishin të varosur në një varrezë masive në Batajnicë afër Beogradit, ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive në Kosovë.
Çështja e të zhdukurve pritet të jetë temë e diskutimeve në vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.