Përleshja në Orikum, PS: Shteti i paaftë për çështjen e pronës
TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në mesditë në Orikum, ku banorët u përleshën me forcat e rendit, për çështjen e pronësisë. Gjatë një deklarate për mediat, deputeti Sajmir Tahiri e ka quajtur këtë ngjarjes pasojë të paaftësisë së qeverisë Berisha për zgjidhjen e problemit të mprehtë të pronësisë në vend.
"Ngjarja që ka ndodhur sot në Orikum të Vlorës tregon se problemi i pronësisë vazhdon të mbetet peng i korrupsionit dhe paaftësisë së një qeverie që mendon vetëm për interesat e pushtetit të familjes e që udhëhiqet vetëm nga oreksi i familjes në pushtet"- tha Tahiri.
Sipas tij, Sali Berisha duhet të jap llogari për katandisjen e pronës në plaçkë lufte të pushtetit, për nxitjen e mëtejshme në Shqipëri të konfliktit për pronën mes njerëzve të pafajshëm dhe për vetë konfliktin mes institucioneve që nuk veprojnë në bazë të ligjit, por në bazë të urdhrave e orekseve të pushtetit.
Më tej ai në emër të PS-së i ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt, policisë së shtetit dhe qytetarëve të pafajshëm të Orikumit, të ruajnë qetësinë dhe të kërkojnë zgjidhjen ligjore të problemit të tyre të mprehtë.
Orikum, banorët përleshen me policinë për tokat
VLORË- Tensionohet situata në Orikum. Në ditën e dytë të protestës banorët janë përplasur me policinë, në tentativë për të hequr rrethimin e truallit ku po ndërtohet një kompleks pallatesh. Në mesditë mes të dy palëve ka pasur shkëmbim dhune.
Protestat e përsëritura, ish punonjësit e ndërmarrjes bujqësore të Orikumit, i kanë shoqëruar edhe me bllokimin e punimeve të ndërtimeve që po kryhen në tokat që ata pretendojnë me ligjin 7501. Duke marrë shkas nga bllokimet e punimeve, forca policie kanë zbarkuar sot qytezën e vogël bregdetare.
Forcat e policisë kanë larguar forcërisht banorët. Këta të fundit gjendeshin që prej disa ditësh aty duke mos lejuar vijimin e punimeve në një prej gropave të hapura. Duke parë këtë situatë janë mbledhur dhe njerëz të tjerë, të afërm dhe banorë të prekur nga çështja e pronësisë, gjë që ka rritur numrin e protestuesve, por edhe tensionin e krijuar mes tyre dhe forcave të rendit. Ka pasur protestues të cilët kanë pohuar se po keqtrajtoheshin edhe nga blutë e policisë, në një kohë që protestonin për të marrë atë që u takon. "Nuk po gjejmë dot forma e mënyra për të drejtën tonë, në një kohë kur ligji nuk funksionon"- thanë banorët. Ata kanë akuzuar për abuzime që po bëhen me pronat. Duke hasur në kundërshtimin e banorëve për të zhbllokuar punimet, disa prej tyre u shoqëruan në komisariatin e Vlorës, ndërsa shumë të tjerë u gjendën në dyert e policisë duke kërkuar që të liroheshin të afërmit e tyre.