Fullani: Qeveria të bëj kujdes me borxhin publik dhe shpenzimet
TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ka tërhequr vëmendjen qeverisë që të tregohet e kujdesshme me shpenzimet buxhetore dhe me borxhin publik i cili ka pësuar rritje.
Sipas guvernatorit Fullani, qeveria ka rritur shpenzimet buxhetore jashtë mundësive të kapaciteteve prodhuese në vend dhe për këtë deficiti buxhetor gjatë muajve të fundit është rritur me 23% si pasojë e tejkalimit të shpenzimeve qeveritare.
"Shpenzimet buxhetore kanë pësuar një rritje prej 23% duke reflektuar kryesisht rritjen e shpejtë të shpenzimeve kapitale. Të ardhurat buxhetore kanë pasur një ecuri më të ngadaltë se shpenzimet, si pasojë e ngadalësimit të rritjes ekonomike. Shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe rritjes së huamarrjes publike"- tha Fullani.
Deklaratën Fullani e ka bërë sot gjatë një konference shtypi ku ka njoftuar se Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë me 0.5% normën bazë të interesit, duke e çuar atë në 5.25 %. Sipas tij vendimi për uljen e normës u bë me qëllim lehtësimin e kredidhënies, në mënyrë të tillë që ndikimi të jetë i menjëhershëm.
Sipas Fullanit, Këshilli mbikëqyrës i BSH-së ka arritur në përfundimin se tre mujori i tretë shënoi një pike kthese në rifitimin e besimit të publikut ndaj sistemit bankar shqiptar.
Duke kujtuar se ka pasur shenja pozitive në ekonomi, Fullani ka saktësuar se tendencat në rritje mbeten ende të brishta. Sa i takon ndikimit nga kriza ekonomike, Fullani deklaroi se janë konstatuar rënie të remitancave dhe të eksporteve. Më tej ai i ka bërë thirrje qeverisë të jetë sa më realiste me buxhetin dhe të tregohet e kujdesshme me uljen e borxhit publik.