E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu takon shefin e vëzhguesve ndërkombëtarë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është takuar të mërkurën me kryesuesin e misionit vëzhgues ndërkombëtar të zgjedhjeve të 15 nëntorit, të cilit ia ka shprehur synimin e institucioneve të vendit që procesi të jetë i qetë dhe i rregullt.

Më 15 nëntor, ditën e zgjedhjeve të para në Kosovën e pavarur, e gjithë bota do ta drejtojë vëmendjen te Kosova. Është rasti i mirë që Kosova të dëshmojë se është e gatshme të zhvillojë në mënyrën më të mirë zgjedhjet e saj të para si shtet sovran e demokratik, ka theksuar Presidenti Sejdiu pas takimit me përfaqësuesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve Komunale 2009 në Kosovë, të udhëhequr nga Darko Aleksov, kryesues i këtij misioni.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu theksoi nevojën e një koordinimi të mirë të vëzhguesve në ditën e zgjedhjeve duke thirrur që ky proces të shkojë në mënyrë të rregullt.
Në këtë takim, Aleksov e njoftoi Presidentin Sejdiu për përgatitjet që ky misionin po bën nëpër të gjitha komunat e Kosovës për të ndihmuar në realizimin e një procesi korrekt elektoral.

Ai ka shprehur përkushtimin e qartë të këtij misioni për të vëzhguar gjithë procesin zgjedhor në pajtueshmëri me normat ndërkombëtare, që është edhe qëllimi kryesor i këtyre vëzhguesve ndërkombëtarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›