E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përligjja e kujtimeve si burim historik

Xhelal Staravecka, autor i Përpara gjyqit të historisë. Kujtime historike: 1912-1966

Elsa Demo

Kujtimet e personazheve politikë protagonistë në gjysmën e parë të shek.XX, të cilat janë botuar në dekadat e fundit, kanë ngjallur shpesh entuziazmin për ndriçimin e faqes tjetër të medaljes së historisë shqiptare. E kur identifikohej se tekefundit kujtimet janë e vërteta e autorit dhe jo e vërteta prej fakteve historike, fashitej ky entuziazëm për tu përtërirë në një palë kujtime të ardhshme që, prapëseprapë, do të shihen si e kundërta e vërtetë e historiografisë zyrtare.

Te kjo dilemë shpie edhe botimi i librit të Xhelal Staraveckës Përpara gjyqit të historisë. Kujtime historike: 1912-1966 (Naimi, 2012). Prezantimi u bë në Akademinë e Shkencave por iniciativa ishte private, e botuesit.

Moderatori i takimit, publicisti Fatos Lubonja bëri njëfarë dallimi të vlerës së kujtimeve në shërbim të historisë, nga përdorimi i historisë zyrtare prej ideologjisë komuniste. Kujtimet kanë një meritë e cila në faqet e historisë thahet e vdes në data e shifra. Liria e të shkruarit në kujtime mund të identifikohej me atë që quhet atmosferë. Nga libri i kujtimeve të Xhelal Staraveckës (1912-1975), Lubonjën e ka tronditur pikërisht atmosfera e egër e luftës, që folës të tjerë më vonë e klasifikuan si cilësi e veçantë ligjërimore e Staraveckës, për ta treguar historinë, për ta tërhequr lexuesin te vetja. Duke lexuar libra si ky që ndalen në periudhën e fundit të monarkisë dhe në luftën antifashiste, shtyhesh të kuptosh më mirë realitetin e sotëm shqiptar. Një problem nxjerr publicisti nga ky libër që, në emër të historisë, Staravecka i jep Enver Hoxhën e Mehmet Shehun si burra shteti, e megjithëse kujtimet janë përfunduar në 1966 në mërgim, autori e glorifikon LANÇ-in.

Akte të një figure kontroverse i quan historiani Pëllumb Xhufi reagimet në momente kulmore në jetën e Staraveckës. Kishte kryer Akademinë Ushtarake në Napoli; ishte protagonist në kryengritjen antizogiste të Fierit për çka dënohet me vdekje, por bën vetëm burg politik; udhëhoqi çeta dhe luftoi për çlirimin e disa krahinave në Skrapar, Berat, Korçë e Fier; bashkëpunoi me Enver Hoxhën për krijimin e Brigadës së Parë partizane (siç thuhet në CV e tij shkurt në krye të librit); braktisi Frontin për shkak të ndërhyrjes jugosllave në Partinë Komuniste; pas masakrës së 4 shkurtit 1944, për disa muaj komandoi Xhandarmërinë e Tiranës e pas këtij viti, marrëdhënia e tij më Shqipërinë shkëputet. Peripeci disa vjet në Itali dhe mërgim politik në Francë deri në fund të jetës. Në Paris i prehen eshtrat. Në Shqipëri ai kishte lënë gruan e re Ylldës dhe birin 2 javësh Naim. I pranishëm në prezantimin e librit, Naimi tregoi jetën pa të atin fare shkurt, aq sa po e botojmë të plotë. Dorëshkrimi i babait i ra në dorë në vitin 1993 nga një person që kishte jetuar pranë tij në Paris. Naimi shpreson ti sjellë eshtrat e të atit dhe ti bashkojë me eshtrat e nënës e cila prehet në Lushnje, vendi i tyre i internimit të gjatë. Sepse Xhelal Staravecka në tekstet e historisë pas 45-ës cilësohej tradhtar, kriminel, përgjegjës për masakrën e 4 shkurtit.

Historiani Pëllumb Xhufi e gjen me vend botimin e librit në valën e entuziazmit të 100- vjetorit të Pavarësisë, sepse përkrah kësaj atmosfere shqiptarët duhet të ballafaqohen me vesin e tyre kombëtar: tradhtinë. Kjo nuk është aq një histori dëshmish sesa një histori e ilustruar e tradhtisë ndaj atdheut. Se si shqiptarët e kanë tradhtuar atdheun e tyre pafundësisht. Ky është testamenti politik i Staraveckës. Të ashpra i quan Xhufi kujtimet e këtij trimi të çartur, me temperament të zjarrtë që ka ndikuar jo pak në kurbën e jetës së tij. Libri është i mbushur, me situata, personazhe që shpesh shihen ndryshe, si Mithat Frashëri, Fan Noli, Esad Pashë Toptani. Vepra të tilla janë si goditje elektroshoku për ne shqiptarët që jemi mësuar të vetëkënaqemi nganjëherë që jemi populli heroik, liridashës, paqedashës, demokratik. Por jemi edhe si gjithë popujt dhe ne, një popull që ka ato veset e veta që shpeshherë i fsheh, por Xhelal Staravecka ka vendosur që ti tregojë.

Mesazhi që figura të tilla të historisë që u është hedhur baltë, lind nevoja të rehabilitohen, ishte i qartë, madje shkoi edhe më tej. Në emër të banorëve të fshatit

Staraveckë – vendlindja e Xhelal Staraveckës – Haxhi Kalluci, kryetar i njësisë vendore të komunës së Potomit, tha se kjo figurë dhe figura të tjera që mbajnë mbiemrin Staravecka janë krenaria jonë dhe do të mbeten shkollë e madhe sidomos për brezin e ri. Prandaj zoti Kalluci shprehu gatishmërinë për ti pajisur bibliotekat e shkollave të komunës me librin e Staravenckës. Kjo kaloi thjesht si një dëshirë, sepse ndërkaq gjërat më të rëndësishme ishin thënë.

Në përfundim, i pyetur historiani Xhufi a është korrekte të sugjerohen edhe në shkolla këto lloj tekstesh-memuare si ana tjetër e historisë, ai u përgjigj se jo çdo gjë që thotë Staravecka duhet marrë e duhet futur në tekstet e historisë, duhen konfrontuar me ato që thonë dokumente të tjera, dëshmitarë të tjerë, por sigurisht që ai sjell situata të reja, të panjohura më përpara dhe kjo është gjë e madhe. Është një ngacmim që para se të hidhet në histori, duhet konfrontuar.

 Fatos Lubonja, publicist

Me Naimin kemi shtyrë vagonë në Spaç e në Qafë Bari së bashku. Ne jemi të dy njerëz që kemi vuajtur edhe për shkak të baballarëve dhe njëkohësisht Naimi, nëpër internimet e tija, ka qenë thellësisht i pafajshëm si fëmijë, së bashku me shumë nga fëmijët e personazheve të këtij libri, për të cilët shpeshherë Xhelali është i pamëshirshëm. Dhe ne e kemi një çikë të vështirë të kapërcejmë në emër të së vërtetës ato emocionet e lidhjeve klanore familjare. Desha ta them këtë sepse e di që edhe vetë Naimi e ka problem që këtu mungojnë një pjesë e bashkëvuajtësve të tij të jetës edhe të burgjeve. Por historia është ashtu siç është, nganjëherë e pamëshirshme. Edhe ky lloj libri bën pjesë në edukimin për të njohur të vërtetat e hidhura tonat, për ti parë ato në distancë në mënyrë më racionale.

Prof.dr. Shaban Sinani

Duke qenë se Staravecka nuk është një dëshmitar çfarëdo i historisë, por një figurë e lidhur me ngjarje të karakterit parësor si Kryengritja e Fierit, antifashizmi, bashkëpunimi, mërgata politike e pasluftës, ky libër nuk është thjesht libër kujtimesh por edhe dëshmimi e vlerësimit të së shkuarës me rëndësi parësore burimologjike. Tashmë në në mendjet e njerëzve është shtruar pyetja: cili ka të drejtë, autori apo ngjarjet që lidhen tradicionalisht me jetën e tij. Kjo dilemë do ta zhvendosë të drejtën nga pikëpamja dhe vlerësimi i Staraveckës. Një njeri që në shkrimet e tij pranon se në rrethanat e luftës ka vrarë, nuk mund të gënjejë kur dëshmon për krimet e të tjerëve. Ai u ofron shqiptarëve jo vetëm të vërteta historike, por edhe certifikime të përpikta për komplekset etnike dhe psikozat sociale të popullit nga ka dalë edhe ai vetë.

 Pëllumb Xhufi, historian

Aq shumë duket se e ka identifikuar veten me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare Staravecka sa në nëntor 1943 në Skrapar, ai gati-gati duket se e përjeton me gëzim shpartallimin e forcave balliste e të Abaz Ermenjit. A thua ishte udhëheqës i luftës partizane! Për këdo që njeh akuzat e formuluara nga historiografia komuniste kundër tij, mund ti dukej befasuese që ai nuk shpreh ndonjë pakënaqësi ndaj udhëheqësve të Frontit Nacionalçlirimtar, përveçse asaj të varësisë nga jugosllavët. Nuk është ideologjia k

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›