Homazh i trishtuar për Agim Shuken

Agim Shuke
Valeria Dedaj
I trishtueshëm ishte dje homazhi që u mbajt në Kinemanë e Arkivit Qendror Shqiptar të Filmit (AQSHF), për 70-vjetorin e lindjes së aktorit Agim Shuke. Vetëm një kolazh filmik njëzetminutësh nga karriera në kinema e aktorit. Drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti shprehu keqardhjen për mungesën e kolegëve po edhe të familjarëve që ajo do donte të ishin aty. Gimi figurën e tij si artist e plotësonte vazhdimisht ditë pas dite, filloi të tregojë Diamanti, me sa duket për ata pak gazetarë dhe punonjësit e Arkivit, por unë e shikoja dhe si njeri shumë të komunikueshëm.
Më vjen mirë që jam këtu për ta kujtuar, por më vjen keq që nuk gjendet asnjë nga familja e tij e madhe në këtë sallë. Nga montazhi filmik u shfaq portreti i Agim Shukes në rini, në e rolin e tij të parë, Dini në filmin Oshtimë në bregdet (1966), pastaj Musai te Militanti, Faiku, sekretar i partisë te Rrethim i vogël, shefi i policisë te Dy herë mat, Sandri te Në fillim të verës, komisari shqiptar te Ballë për ballë, dhe roli i tij i fundit në filmin Një djalë dhe një vajzë. Por kolazhin e këtyre portreteve e mbyllte një profil i mjaft i njohur i Shukes në teatër në komedinë Shi në plazh. Ky artist është vlerësuar jo vetëm si Artistë i njohur por dhe djalë i Kuçovës me titullin Nderi i Qytetit.
Familjarët, vajza Irisi dhe djali Orli, jetojnë në Londër. Por megjithëse ata janë jashtë shtetit komunikimi i tyre me patriotë e tyre vazhdon ende. Për Agim Shuken është shkruar dhe një libër monografik, i cili flet për jetën e tij si aktor dhe si qytetar beratas. Ky libër u prezantua nga bashkëqytetari i tij Shkëlqim Agolli. Ai ishte i vetmi që kishte ardhur për këtë përvjetor. Agim Shuke ka qenë një artist i madh por mbi të gjitha një njeri i thjeshtë i cili një ditë krejt papritur u godit për vdekje në një rrugë të Tiranës. Asnjë nga katër pistat hetimore nuk e nxori në dritë të vërtetën për vdekjen e aktorit.