E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbyllet DokuFest

Në konferencën e fundit për këtë edicion të DokuFest, drejtori ekzekutiv, Eroll Bilibani, të shtunën informoi gazetarët për rrjedhën e përgjithshme të festivalit, për filmat e shfaqur ndërkombëtarë, për kategorinë e gjelbër dhe për fillimin e shfaqjes së filmit 15-orësh “The Story of Film”, i cili përmbledh gjithë historinë e kinematografisë. Natyrisht, të shtunën festivali vazhdoi me ditën e fundit të programit.

Në punëtorinë DokuKids, që kësaj radhe u quajt Machinarium, fëmijët patën rast të punojnë bashkë në prodhimin e një filmi karakteret e të cilit i krijuan nga materiale recikluese. Gjithashtu, të premten u mbajt edhe një ligjëratë e kinematografit polak, Wojciech Staron, gjatë së cilës Staron foli për përdorimin e kamerës në filmat dokumentarë. Nga ora 17 ndërkaq u mbajt debati ‘Strategjitë Kulturore në Qytete’. Dita e premte u përmbyll me koncertin fantastik të këngëtares shqiptare, Eda Zari, dhe grupit të saj nga Gjermania.

Derisa po njoftonte se 12 filmat e prodhuar nga Kino Kabareti i parë në Kosovë do të shfaqen të shtunën mbrëma në Kino Kala, përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda, tregoi edhe për një fakt tjetër interesant, se regjisori shqiptar Bujar Alimani ka shfaqur interesimin e tij që, bashkë me filmin e tij, të jetë pjesë e këtij projekti.

Mysafir në konferencën e së shtunës ishte edhe regjisori turk, Umut Ozdemir, producent i filmit “Silen”, që në Festivalin e Cannes fitoi çmimin Palma e Artë si filmi i shkurtër më i mirë.

“Unë erdha në DokuFest sa për të vërtetuar atë që kam dëgjuar për të. Ajo që më pëlqeu më së shumti në festival është se i gjithë qyteti bëhet pjesë e tij. E, kjo festivalit i jep shpirt”, theksoi Ozdemir.

Mysafiri tjetër në konferencë ishte regjisori belg, Valery Roiser, i cili u shpreh i mahnitur me pamjet që kishte parë rrugëve të qytetit.

“Jam mahnitur me pamjen e qytetit. Nuk kam pritur që të ketë kaq shumë njerëz në festival. Filmbërësit këtu e kuptojnë se dokumentari ende është interesant për publikun. Përshtypje më ka lënë edhe interesimi i publikut gjatë seancave të pyetjeve e përgjigjeve. Ata bëjnë pyetje të vështira për regjisorët dhe dëshirojnë me çdo kush t’i kuptojnë idetë e tyre”, u shpreh ai.

Ndryshe, përveç vazhdimit të shfaqjes së filmit 15 orësh “The Story of Film”, në Kino Lum të shtunën u shfaqën tre filmat e mbetur të produksionit të DokuFestit, gjegjësisht të projektit “Fabrika e Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut - Storie nga Margjinat e Kosovës”, ndërsa vonë në mbrëmje, në Mullini interpretuan grupet kosovare Pinkmetal dhe The Glasses.

Festivali përfundon sot (e diel), ndërkaq ndarja e çmimeve për shtatë kategoritë garuese të festivalit mbahet në Shtëpinë e Kulturës, me fillim nga ora 14.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›