Përmbytje edhe në Kosovë, Prishtina mbyll shkollat/ Autoritetet paralajmërojnë: Më e keqja nuk ka kaluar

Reshje të dendura shiu, të parashikuara për sot e nesër në Kosovë kanë nxitur autoritetet atje të japin alarmin për rrezikun e përmbytjeve.
Drejtoria e Arsimit njoftoi prindërit përmes Facebook se anulimi i mësimit u vendos si masë parandaluese.
Ndërkohë Instituti Hidrometeorologji i Kosovës njoftoi që dje se vendi do të përballet me reshje shiu gjatë dy ditëve në vijim, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.
“Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të befasishme uji në disa pjesë të vendit”, thuhet në njoftimin e institutit.
Edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” paralajmëroi se ekziston një rrezik i shtuar për vërshime në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve gjatë ditës. Ajo u bëri thirrje qytetarëve t’i shmangin lëvizjet në afërsi lumenjve dhe kanaleve vaditëse.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, u kërkoi qytetarëve të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe t’i shmangin zonat me rrezik përmbytjesh. Kosova është përballur me një seri përmbytjesh vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, ka kontribuar ndjeshëm në përmbytjen e shumë zonave të vendit.