VIDEO/ Forumi i Zgjerimit, fjala e plotë e Ramës: Qëndrojmë me kokën lart, për 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Forumin e Zgjerimit të organizuar nga Komisioni Evropian.
Kreu i qeverisë, i cili ndodhet në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grup-kapitullit të fundit të negociatave, gjatë fjalës së tij, vuri theksin pikërisht te zgjerimi dhe avancimi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrave.
“Duhet të rrëfej që duke ardhur këtu sot, e kapa veten duke menduar se çfarë mund të them tjetër për zgjerimin, kam folur aq shpesh për të, sa kam frikë se mund të botoj edhe një libër. Zgjerimi dhe e ardhmja janë të pandashme”, u shpreh ai në nisje të fjalës së tij.
Megjithatë tha se në vend të zgjerimit, preferon fjalën “ribashkim”.
“Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë. Ne i bëjmë këto për veten tonë, brezin tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ne vazhdojmë punën a thua se negociatat janë hapur prej kohësh. Qëndrojmë drejt, me kokën lart pasi për vetëm 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt dhe e kemi vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor”.
Forumi i Zgjerimit është pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.
Kujtojmë se të hënën, Shqipëria çeli të gjashtë grup-kapitujt në negociatat me BE-në, një fazë që pasohet me plotësimin e pikave të ndërmjetme e deri te objektivi kryesor, anëtarësimi i plotë i vendit në vitin 2027.