E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytje në KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kryesuesja Nesrin Lushta i kanë dhënë një kahe pa krye procesit elektoral të Gjilanit, në ditën kur do të duhej të përmbyllej përfundimisht kjo çështje.

Të hënën, KQZ’ja nuk i miratoi rezultatet e hetimit dhe rinumërimit të votave për Komunën e Gjilanit, edhe pse hetimi dhe rinumërimi i votave u organizua pikërisht nga ky institucion.

Në mbledhjen e KQZ’së, që u mbajtën të hënën në mëngjes, 7 vota ishin pro miratimit të rezultateve që dolën nga rivotimi në Komunën e Gjilanit, 3 ishin kundër, ndërsa 1 abstenoi.

Natyrisht, abstenimi erdhi nga Nesrin Lushta, Kryesuese e KQZ’së.

Për miratimin e rezultateve, sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, duhen të votojnë 2/3 e anëtarëve të KQZ’së, përkatësisht 8 anëtarë.

Pas mbledhjes, Lushta dha një sqarim.

“Arsyeja pse kam abstenuar është se nuk janë dhënë përgjigje në të gjitha pyetjet. Jo pse QNR’ja nuk ka dashur, por sepse situata ka qenë në atë mënyrë”, tha Lushta.

Ajo nuk ka qenë në gjendje të japë sqarime as rreth procedurave që do të ndiqen për përmbylljen e procesit zgjedhor në Gjilan.

Javë më parë, KZAP-ja udhëzoi KQZ’në t’i përsërisë zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. KQZ’ja respektoi vendimin e KZAP’së për Prizren dhe Lipjan, por urdhëroi rinumërimin e votave për Komunën e Gjilanit. Ky proces përfundoi javën e kaluar, mirëpo edhe rezultatet e rinumërimit të hënën nuk u aprovuan nga KQZ’ja.

Në këtë situatë, ligjërisht, nuk shihet ndonjë zgjidhje.

Në LDK besojnë se tash KQZ’ja duhet t’i kthehet vendimit të mëhershëm të KZAP’së për rivotim në Gjilan. Por ekspertët e zgjedhjeve thonë se ai vendim ka rënë poshtë në momentin kur KQZ’ja urdhëroi që të rinumërohen votat e kësaj komune.

Një opsion tjetër është që KQZ’ja sërish ta hedhë për votim udhëzimin e KZAP’së për përsëritjen e zgjedhjeve në Gjilan. Mirëpo, PDK’ja dhe aleatët e saj sigurisht se do të votonin kundër.

Adnan Merovci, ish-Kryeshef i KQZ’së, i sugjeron Nesrin Lushtës që t’i shikojë rregulloret e institucionet, si e vetmja mënyrë për të dalë nga situata e krijuar.

“KQZ’ja duhet ta çojë deri në fund një vendim të marrë më parë, që ishte rinumërimi (dhe hetimi) i votave. Tani certifikimi i këtij rinumërimi duhet të ishte vetëm formalisht”, ka thënë Merovci për Express, të hënën.

“KQZ’ja, përveç Ligjit për Zgjedhjet, ka edhe Rregulloret e Punës së vet, me të cilat përcaktohen mënyrat e marrjes së vendimit”.

Një mendim tjetër ka Mazllum Baraliu, ish-Kryeshef i KQZ’së.

“Vendimi i KZAP’së ka rënë dhe tash kemi vetëm një vendim të KQZ’së, i cili ka qenë për të shkuar në rinumërim, e jo në rivotim. Tash raporti për rinumërim është votuar, nuk është miratuar dhe duhet të ulen t’i shqyrtojnë të gjitha dispozitat ligjore dhe të marrin një vendim tjetër”, ka thënë Baraliu për Express.

Shikuar nga aspekti politik, situata në Gjilan duket jashtëzakonisht më e thjeshtë.

PDK’ja kërkon që KQZ’ja t’i miratojë rezultatet që dolën nga rinumërimi i votave, e LDK’ja kërkon që sërish t’i kthehet vendimit të KZAP’së dhe, ashtu sikurse Prizreni dhe Lipjani, edhe Gjilani të votojë më 31 janar.

Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi thotë se partia e tij do të kërkojë sqarime shtesë nga KQZ’ja.

“Ne do të kërkojmë sqarime edhe juridike. Ne jemi të interesuar që të respektohet ligji deri në fund”, ka thënë Kuçi për Express.

“Unë nuk dua të hyj në vlerësimet e KQZ’së, por vendimet gjithmonë duhet të jenë në përputhje me ligjin. Dhe çdo vendim që nuk është në përputhje me ligjin, por edhe në perceptim të opinionit, nuk i bën mirë asnjë institucioni”, ka shtuar ai.

Mendim tjetër ka Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

“Me vetë faktin se dështon certifikimi i kandidatit, atëherë kërkohet në mënyrë automatike rivotimi”, ka thënë Haziri për Express, të hënën.

Sipas tij, as kandidatët e të dy partive në garën për Gjilanin, nuk duhet të pranojnë rezultatin që del nga tavolina.

Ndryshe, raporti final i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, i cili nuk u miratua të hënën, e rishpall fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafën me 51.48 për qind të votave, kundrejt kandidatit të LDK’së, Fatmir Rexhepi, që ka marrë 48.52 për qind të votave.

Këto të dhëna nga Florian Dushi, anëtar i KQZ’së nga radhët e LDK’së, janë quajtur pseudorezultate.

“Nuk mund të merret vendim mbi këto pseudorezultate. Ky institucion të merret me zbatimin e ligjit dhe të mos shndërrohet, siç është shndërruar këto ditët e fundit, në një institucion ku zbatimi i ligjit të mbetet në tentativë nga disa anëtarë të KQZ’së”, ka thënë Dushi në mbledhjen e KQZ’së.

Qëndrimi i anëtarit të LDK’së është kundërshtuar nga Xhelil Pajaziti i PDK’së. Ai ka mbrojtur rezultatin e prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe ka kritikuar Kryetaren e KQZ’së, e cila ka abstenuar në votim.

“Sipas ligjit duhet 2/3, por Ju Kryetare po abstenoni dhe kjo nuk është në rregull”, ka gjykuar Pajaziti, veprimin e udhëheqëses së KQZ’së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›