E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton nuk bind ligjvënësit europianë

Shefja e re e Europës për punë të jashtme siguroi një mbështetje të vakët, në seancën dëgjimore për konfirmimin e saj në parlament, pasi që dështoi të bindë një numër të madh të deputetëve, me atë që nga ata u cilësuan si përgjigje të saj të turbullta për çështjet politike.

Në takimin e partive, pas seancës pyetje-përgjigje, e cila zgjati tri orë, pjesa më e madhe e grupeve në parlament dhanë një “qëndrim të favorshëm” për Catherine Ashtonin”, deklaroi një ligjvënës.

“Ajo dëshmoi një kapacitet për dialog me parlamentin, edhe përkundër faktit se kishte ca mangësi në lidhje me disa pyetje të caktuara”, deklaroi deputeti spanjoll, Jose Salafranca, grupi konservator i të cilit është më i madhi në Parlamentin e Europës.

Kolegu i tij konservator, Elmar Brok, ishte më pak entuziast sa i përket paraqitjes së femrës, e cila u bë diplomatja kryesore e BE-së.

“Nuk ka arsye për të qenë entuziast. Ajo nuk ka vizion për funksionin”, tha Brok, i cili megjithatë mbështeti Ashtonin 53 vjet, e cila do të jetë edhe zëvendëspresidente e Komisionit të Europës.

Aleatët socialistë të Ashtonit, grupacioni i dytë më i madh në parlament, e mbështetën atë.

Deputetja e gjelbër nga Austria, Ulrike Lunacek, u ankua se Ashton i portreti vetën si një diplomate të vërtetë. “Ajo ka retorikë të pasur, por i mungojnë specifikat. Seanca dëgjimore dëshmoi se ajo nuk ka një ndjenjë të qartë për vizionin, nuk ka iniciativa dhe plane të veta”, theksoi Lunacek.

Por deputeti konservator nga Britania, Charles Tannock, kritikoi deputetet për pyetjet që kanë parashtruar, ndërsa Ashtonin e kritikoi për shkak të paraqitjes së saj.

“Piketat nuk ishin vendosur aq lartë sa duhej dhe dukej se ajo bëri aq sa duhet, sa për të pamundësuar Parlamentin e Europës që ta bllokojë atë”, tha Tannock.

Nën kryesimin e Javier Solanës, funksioni i diplomatit kryesor të BE-së është përqendruar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e ndikimit të BE-së në Lindjen e Mesme, Iran dhe Ballkan.

Por në bazë të Traktatit të Lisbonës për reforma, ky funksion tani ka kompetenca më të mëdha, edhe përkundër faktit se 27 shtetet anëtare të BE-së mbesin përgjegjësi për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, me Ashtonin që do të flet në emër të shteteve anëtare.

Përkundër trysnisë, Ashton gjatë gjithë seancës pati një paraqitje të qetë, duke ju përgjigjur me vetëbesim pyetjeve të deputetëve.

Ajo dha përgjigje të cilat demonstruan se ajo kupton çështjet, por nuk lejoi që të joshet në fusha të minuara diplomatike, siç ishin pyetjet për qëndrimin e saj në lidhje me sanksionet kundër Iranit dhe ishte e kujdesshme në lidhje me politikën në Lindjen e Mesme.

Ajo kërkoi që Europa të luaj një rol më aktiv në skenën botërore.

“Jam e bindur se ekziston një thirrje e qartë, brenda BE-së dhe në gjithë botën, për një angazhim më të madh evropian-për të promovuar paqen, për të mbrojtur ata që janë të lëndueshëm, për të luftuar varfërinë dhe për t’iu adresuar shumë problemeve të kohës tonë. Ne duhet t’i përgjigjemi kësaj thirrje”, tha Ashton.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›