Përmbytje në Turqi, rritet bilanci i të mbyturve

Është rritur në 14 numri i personave që kanë humbur jetën nga përmbytjetet e fuqishme në pjesën juglindore të Turqisë, e cila një muaj më parë u godit nga tërmet shkatërruese.
Situata më e rëndë paraqitet në provincën juglindore Adıyaman ku ujërat e rrëmbyeshëm përmbytën kontenjerët ku jetonin një grup të mbijetuarish nga tërmeti. Disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e pesë shtetasve sirianë brenda një apartamenti të përmbytur në provincën fqinje Sanliurfa. Disa njerëz u evakuuan nga disa çadra ku strehoheshin pas goditjes nga tërmeti të cilët u dërguan më pas në një spital. Rrjedhjet e fuqishme të ujit morën përpara makina dhe çdo gjë tjetë përreth.
Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive bëri të ditur se në dispozicion u vendosën zhytës profesionistë të cilët u përfshinë në përpjekjet e shpëtimit në secilën prej dy provincave. Shkollat kanë pezulluar mësimin deri në përmirësimin e situatës. Qytetet Adıyaman, Diyarbakır, Malatya, Kahramanmaraş dhe disa të tjera janë vendosur nën alarmin portokalli për shkak të përmbytjeve.
Provincat, ku jetojnë rreth 2.7 milionë njerëz, u goditën nga tërmetet e muajit të kaluar, të cilët vranë më shumë se 48,000 njerëz në Turqi dhe lanë miliona të pastrehë. Sipas parashikimeve reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet të lartë të paktën deri në fundjavë duke e rënduar edhe më shumë situatën në zonë.
/ rtsh /