Takimi më 18 mars në Ohër, Vuçiç: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se në takimin në Ohër nuk do të jetë një ditë fatale dhe se atje, do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë dhe të vazhdojë të punojë për normalizimin e marrëdhënieve. Vuçiç tha se problemi nuk është se çfarë do të firmosë, por nëse do ta bëjë.
“Dhe në fakt askush nuk shpreson se nuk do të nënshkruaj diçka, sepse askujt nuk i intereson Kosova dhe Metohia, e vetmja gjë që i intereson është pushkatimi publik i Presidentit të Serbisë. Ata shpresojnë të gjithë, se unë do të nënshkruaj që të më kërkojnë kokën në një pjatë”, tha Vuçiç.
Vuçiç deklaroi se ende nuk ka marrë një draft se çfarë kërkon BE-ja dhe se Serbia ka paraqitur propozimin e saj dhe pala shqiptare ka paraqitur të vetin raporton Tanjug.
“Kam punuar tre ditë me ta për këtë çështje, kemi dorëzuar propozimin tonë dhe shqiptarët kanë dorëzuar propozimin e tyre. Ne nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli dhe ajo letër ende nuk ekziston, deri më sot”, tha Vuçiç.
Sapo drafti të vijë, Vuçiç tha se do informojë opinionin dhe do të tregojë se çfarë është e keqe apo e mirë, “nëse ka diçka të mirë, që sigurisht është e vështirë për ne”, shtoi presidenti serb.
“Ne do të bëjmë çmos që të ruajmë paqen dhe të shkojmë drejt një mirëkuptimi më të mirë me shqiptarët, duke mbrojtur interesat jetike dhe kombëtare”, tha ai.
Më 18 mars pritet që dialogu i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku në tryezën e diskutimit do të jetë propozimi evropian.
/rtsh.al/