E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, Leskaj: PS kërkon me forcë largimin e ministrit të Energjetikës, Prifti

Tiranë, 7 janar NOA Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj ka dalë sot në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës në emër të PS-së, kërkoi largimin e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti.

Në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë për të gjithë ato gra burra, fëmijë e të moshuar që janë të detyruar të lënë shtëpi e pasuri, të mbjella, bagëti e çdo gjë që kanë vënë me mund e djersë, për të shpëtuar jetën, por edhe me të gjithë ata shqiptarë të tjerë, që jetojnë pasigurinë e këtyre orëve dhe në të njëjtën kohë ankthin se situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment tha Leskaj duke shtuar se PS i bën thirrje atyre që ende nuk janë evakuuar, ta bëjnë sa më parë. PS kërkon edhe njëherë marrjen e çdo mase në ruajtje të jetës së njerëzve dhe lehtësimin e pasojave të situatës tejet të rëndë në zonat e përmbytura,pasi orë pas ore rreziku shtohet. Njëherësh Partia socialiste vlerëson, se shqiptarëve duhet tu thuhet e vërteta  e asaj që po ndodh sot në Veri të vendit tha më tej Leskaj. Sipas Leskaj arsyeja që situata degradoi deri në këtë pikë nuk është paaftësia e ministrit dhe vartësve të tij, por rezultati i një plani të mirëfilltë korruptim. Tentativa për të shpëtuar qeverinë  jo legjitime, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit. E vërteta tashmë ka dalë në shesh. Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri, po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë, se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi dhe jo në shkelje të plotë të rregullores. Partia Socialiste vlerëson se ato kanë një shkaktar, Ministrin e Ekonomisë dhe këtë qeveri pa legjitimitet. Në këto kushte Partia Socialiste kërkon me vendosmëri, largimin e Dritan Priftit si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme. Dritan Prifti duhet të largohet, që kjo tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit tha Leskaj. k.k/NOA  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›